Shqipëria Postuar më 12 Qershor 2026, 11:28

“Kujdesi shëndetësor në banesë, pa financim të dedikuar” - Ekspertët: Financimi i shërbimit është i përballueshëm, mungon prioritizimi

Nga Fabjona Pasho

 

“Kujdesi shëndetësor në banesë, pa financim të

Mijëra pacientë me sëmundje kronike, të moshuar dhe persona me pamundësi lëvizjeje varen çdo ditë nga Kujdesi Shëndetësor në Banesë. Megjithatë, sipas organizatës Together for Life, ky shërbim jetik vazhdon të funksionojë pa një linjë të dedikuar financimi, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e tij.

“Në kushtet kur Shqipëria po përballet me plakjen progresive të popullsisë, rritjen e numrit të pacientëve me sëmundje kronike dhe kërkesën në rritje për kujdes afatgjatë, financimi i Kujdesit Shëndetësor në Banesë kthehet në një domosdoshmëri për sistemin shëndetësor me kosto-efektivitet dhe përgjigje më të mirë të nevojave të pacientëve.

Mungesa e financimit të dedikuar ka pasoja të drejtpërdrejta mbi ofrimin e shërbimit. Aktualisht, infermierët dhe qendrat shëndetësore përballen me vështirësi në mbulimin e kostove të transportit, pajisjeve dhe materialeve të nevojshme për ofrimin e kujdesit në banesë. Në mungesë të mbështetjes financiare, barra e kostove transferohet tek familjet dhe pacientët, duke rrezikuar aksesin e barabartë në kujdes shëndetësor, veçanërisht për grupet më vulnerabël”, shprehet Alma Lahe.

Ekspertët theksojnë se kostot e ofrimit të një shërbimi të tillë janë tërësisht të përballueshme për Buxhetin e Shtetit.

“Mungesa e financimit për Kujdesin Shëndetësor në Banesë nuk lidhet me pamundësinë financiare të shtetit, por me mungesën e prioritizimit të këtij shërbimi jetik në politikat publike të shëndetësisë. Kostoja e nevojshme për garantimin e plotë të shërbimit në nivel kombëtar gjatë vitit të parë llogaritet në rreth 970.8 milionë lekë. Në vitet pasuese nevojat financiare reduktohen ndjeshëm dhe janë disa herë më të ulëta.

Nga monitorimi i vazhdueshëm i buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, konstatohet se kjo është një kosto plotësisht e përballueshme për sistemin shëndetësor publik. Megjithatë, realizimi i saj kërkon një rishikim të politikave të deritanishme. Në vend që buxheti i kujdesit parësor të vazhdojë të mbetet nën presion, është e domosdoshme që ai të forcohet dhe të trajtohet si hallka kryesore e sistemit shëndetësor”, shprehet më tej Lahe.

Organizata kërkon që financimi i Kujdesit Shëndetësor në Banesë të garantohet në buxhetin afatmesëm 2027-2029.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat