Shqipëria Postuar më 16 Tetor 2025, 13:04

Ku t'i investoni paratë, në depozita apo tituj? - Normat e interesit, jo të favorshme. Obligacionet, të vetmet me kthime më të larta

Nga Ledina Elezi

Ku t'i investoni paratë, në depozita apo tituj? - Normat e

Të zgjedhësh se ku t'i investosh paratë e tua, nuk është diçka e lehtë. Për të bërë zgjedhjen e duhur, nevojitet të analizohen normat e interesit dhe përllogaritet sa do të jetë fitimi nga investimi. Për shkak të nivelit të ulët të normave të interesit, fitimi nga të gjitha llojet e depozitave nuk është tepër i lartë. Thuajse e njëjta gjë vlen edhe për titujt qeveritarë, ku yield-et e bonove të thesarit janë në nivelet më të ulëta, por fitimet nga obligacionet paraqiten më të mëdha.

Aktualisht, fitimi nga investimi i parave në bono thesari 12-mujore është shumë i ulët. Rezultatet e ankandeve të titujve qeveritarë tregojnë se për bonot 12-mujore, yield-i mesatar i ponderuar, pra interesi vjetor që mbajtësi i bonove do të marrë gjatë afatit të tij deri në maturim është në rënie të vazhdueshme që nga qershori. Në ankandin e fundit të realizuar më 14 tetor, kthimi i fituar nga paratë e investuara ishte në nivelin më të ulët prej 2.54%.

E njëjta tendencë paraqitet edhe për bonot e thesarit me afat 6-mujor.

Ndërkohë, investimi në instrumenta afatgjatë siç janë obligacionet, paraqitet më i favorshëm. Yield-i për obligacionet 3-vjeçare dhe 5-vjeçare është rritur nga ankandi në ankand, duke shkuar në 3.8% dhe 4.3% përkatësisht. Kjo nënkupton se fitimi nga investimi në këtë lloj instrumenti është më i lartë.

Po për sa i përket investimit në depozita?

Depozitat kanë qenë gjithmonë forma më e preferuar e investimit të parave nga shqiptarët. Norma mesatare e interesit për të gjitha llojet e depozitave në lek të qytetarëve ishte 1.58% në korrik. Në krahasim me muajt e parë të këtij viti, interesat nuk paraqiten shumë të favorshme.

Normat e interesit për depozitat me afat mbi 2 vite, të cilat janë edhe lloji më i zgjedhur për ruajtjen e kursimeve nga qytetarët rezulton të ketë rënë në 2.4%, ndërsa për depozitat deri në 1 vit ose 2 vite, interesat rezultojnë me rritje në korrik.

Interesat e depozitave në euro janë edhe më pak të favorshme, të cilat rezultojnë gjithashtu në rënie të vazhdueshme. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për kursimet në euro ra në 1.18%.

Nga ana tjetër, interesi mesatar për kursimet në lek të biznesve është rritur lehtë në 2.37%, ndërsa për kursimet në euro rezulton të ketë rënë në 1.17%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat