Shqipëria Postuar më 24 Mars 2026, 11:36

Ku ia vlen të kursesh në 2026? - “Rimëkëmben” depozitat afatshkurtra për individët. Afatgjatat për bizneset, më fitimprurëse

Nga Ledina Elezi

Ku ia vlen të kursesh në 2026? - “Rimëkëmben”

Viti 2026 ka nisur me norma interesi të pafavorshme për depozitat afatgjata të qytetarëve. Sipas raportit statistikor mujor të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për depozitat në lekë të individëve rezulton të ketë arritur në 1.59%, kryesisht për shkak të depozitave afatshkurtra.

Interesat për kursimet e ruajtura në bankë deri në një vit janë rritur lehtë gjatë muajit janar, por të dhënat tregojnë se depozitat afatgjata, pra ato me afat nga 1-2 vite dhe ato mbi 2 vjet, të cilat janë zakonisht më të preferuarat nga qytetarët, nuk po paraqiten më aq tërheqëse, për shkak të uljes së normave të interesit.

Kështu,  për depozitat me afat nga 1-2 vite, norma e interesit është ulur nga 1.71% në 1.59%, ndërsa për depozitat mbi 2 vite, interesi u ul në 2.44% nga 2.47% që ishte në fund të vitit të kaluar.

E kundërta ndodh me depozitat në lekë të bizneseve, sidomos ato afatgjata, të cilat kanë sjellë një kapërcim të lartë të normës mesatare të interesit në 2.23%. Interesi për kursimet e bizneseve të kyçura në bankë mbi dy vite është bërë më tërheqës në 2026, duke kaluar nga 1.74% në 2.75%, ndërsa ato me afat më të shkurtër rezultojnë me rënie.

Për sa i përket interesave të depozitave në euro, këto të fundit janë historikisht më të ulëta se depozitat në lekë. Normat e vendosura nga bankat për kursimet në euro të qytetarëve rezultojnë ta kenë nisur vitin jo shumë pozitivisht, teksa ato të bizneseve shfaqen më fitimprurëse.

Çfarë do të thonë këto shifra në fjalë më të thjeshta?

Në ndryshim nga herët e kaluara, fitimi nga interesat e depozitave të qytetarëve me afat deri në një vit do të jetë më i lartë, po ashtu edhe ai i bizneseve që mbajnë depozita afatgjata. Pavarësisht tendencave rritëse, kursimet e ruajtura në lek dhe për shumë vite, nxjerrin një fitim më të lartë nga interesat se depozitat afatshkurtra në lek apo në euro.

Ku ia vlen të kursesh në 2026? - “Rimëkëmben”

Ku ia vlen të kursesh në 2026? - “Rimëkëmben”

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat