Shqipëria Postuar më 20 Janar 2026, 11:46

Kryeministri Rama i shkruan presidentit të SHBA, Trump: “Privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë në Bordin e Paqes”

Nga Dorian Koça

Kryeministri Rama i shkruan presidentit të SHBA, Trump: “Privilegj

Kryeministri Edi Rama i ka përcjellë Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në “Bordin e Paqes” për Gazën.

Në krye të letrës, kryeministri Rama falenderon presidentin amerikan Trump për ftesën drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.

Sipas Ramës, në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.

“Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global. Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale”, shkruan kryeministri Rama në letrën drejtuar presidentit amerikan, Donald Turmp.

Rama thekson se, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.

Në letër, kryeministri Edi Rama nënvizon se, “Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare”.

Sipas tij, populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.

Sipas Ramës, së shpejti ky angazhim do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat