Shqipëria Postuar më 4 Shtator 2025, 13:08

Kritikat për draftin e Kodit të ri Penal - Manja: Komentet do reflektohen. Rakipi: Ja bazat e ndërtimit dhe masat

Nga Hamit Yzeiraj

Kritikat për draftin e Kodit të ri Penal - Manja: Komentet do

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka deklaruar se të gjitha komentet dhe analizat për Kodin e ri Penal janë mbajtur shënim dhe do të merren parasysh deri në miratimin e tij. Sipas ministrit, deri në fund të vitit do të zhvillohen edhe 25 tryeza diskutimi.

“Kemi mbajtur shënim komentet, analizat, sugjerimet dhe shqetësimet, por nga momenti i publikimit të draftit në faqen e ministrisë dhe dhënies së linkut nga sekretariati, deri tani kanë ardhur një numër i vogël komentesh, ndërkohë që disa organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar të jenë pjesë e procesit të konsultimit publik. Edhe pse të gjitha këto direktiva janë reflektuar në draftin e ri, duke qenë se, në kuadrin e përmbushjes së piketave të ndërmjetme për negociatat me BE, kemi si afat fundin e tetorit, për këtë grup veprash konsultimi publik do të zhvillohet veçmas nga konsultimi për draftin. Këto ndryshime do të reflektohen në Kodin Penal aktual dhe do të jenë pjesë e draftit të ri kur të kalojë në axhendën parlamentare,” u shpreh ministri Manja.

Nga ana tjetër, drejtuesi i grupit të punës për hartimin e draftit, Arben Rakipi, u shpreh për bazat e ndërtimit të masave të dënimit në Kodin e ri Penal.

“Është paraqitur me ngjyra mjaft pesimiste dhe ka krijuar përshtypjen se represiviteti është fjala e parë e këtij projekti. E kuptoj shumë mirë efektet që mund të krijojë. Burimi i parë është Kodi aktual dhe burimi i dytë, praktika gjyqësore. Burim tjetër janë vepra të ngjashme të penalizuara në legjislacione të ndryshme. Burim tjetër janë direktivat, si edhe eksperienca e anëtarëve të grupit. Në shumatorin e kësaj praktike mund të dalim në një konkluzion të caktuar,” tha Rakipi.

Drafti i është përcjellë për mendim edhe disa ekspertëve italianë, të cilët e kanë përmbyllur opinionin e tyre, i cili është vënë në dispozicion të grupit të punës. Deri më tani janë zhvilluar 40 takime me ekspertë të fushave të ndryshme me qëllim diskutimin teknik nen për nen të draftit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat