Shqipëria Postuar më 18 Korrik 2026, 11:14

Kripto-asetet nën monitorimin e Tatimeve - Projektligji/ Raportim automatik i transaksioneve dhe shkëmbim i informacionit me BE

Nga Ledina Elezi

Kripto-asetet nën monitorimin e Tatimeve - Projektligji/ Raportim automatik

Transaksionet me kripto-asete do të raportohen automatikisht pranë administratës tatimore, duke i dhënë autoriteteve më shumë informacion për të ardhurat e realizuara nga ky treg dhe duke forcuar luftën kundër evazionit fiskal.

Kjo është risia kryesore që sjell projektligji i ri "Për shkëmbimin automatik të informacionit mbi kripto-asetet", i nxjerrë për konsultim publik, që përafron legjislacionin shqiptar me Direktivën Evropiane. Nisma vjen si përgjigje ndaj zgjerimit të përdorimit të kripto-aseteve për investime, pagesa dhe transferta ndërkufitare, të cilat e kanë bërë më të vështirë identifikimin e tatimpaguesve dhe monitorimin e të ardhurave të tyre. Përmes këtij kuadri të ri synohet rritja e transparencës fiskale dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e tatimeve.

Ligji parashikon që ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve të identifikojnë klientët e tyre, të verifikojnë rezidencën tatimore dhe të mbledhin informacion për transaksionet që kryhen. Ky informacion do të raportohet periodikisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila do të jetë autoriteti përgjegjës për administrimin e sistemit dhe për shkëmbimin automatik të të dhënave me administratat tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian. 

Për të shmangur raportimin e dyfishtë, ligji përcakton edhe rastet kur detyrimet konsiderohen të përmbushura në një shtet tjetër të Bashkimit Evropian ose në juridiksione të tjera të njohura. Ndërkohë, ofruesit e shërbimeve do të duhet të raportojnë të dhëna identifikuese për përdoruesit, informacion mbi transaksionet e kryera dhe vlerën e tyre, sipas rregullave të përcaktuara në ligj. Ata do të kenë detyrimin të ruajnë dokumentacionin për të paktën 7 vjet dhe ta vënë atë në dispozicion të autoriteteve tatimore në rast kontrolli.

Një tjetër element i rëndësishëm është forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do t'i komunikojë çdo vit Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të dhënat mbi subjektet e autorizuara për të ofruar shërbime të kripto-aseteve, ndërsa Tatimet do të mbikëqyrin zbatimin e detyrimeve ligjore dhe do të administrojnë regjistrin e operatorëve të këtij tregu.

Ligji parashikon gjithashtu masa administrative dhe gjoba për subjektet që nuk respektojnë detyrimet e raportimit, si edhe mundësinë e pezullimit të transaksioneve kur përdoruesit nuk japin informacionin e kërkuar. Në këtë mënyrë synohet të krijohet një treg më transparent, të kufizohen mundësitë për shmangie tatimore dhe Shqipëria të harmonizojë rregullat e saj me standardet e Bashkimit Evropian. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat