Shqipëria Postuar më 27 Shkurt 2026, 15:43

Krijohet Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar/ Synohet kontroll i shkollave në të gjithë vendin

Nga Fabjona Pasho

Krijohet Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar/ Synohet kontroll i

Qeveria ka miratuar krijimin e Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar (IQAP), një strukturë e re që do të ushtrojë funksionin e inspektimit në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare në Shqipëri.

Sipas vendimit, IQAP do të funksionojë si person juridik publik, me seli në Tiranë dhe në varësi të ministrit përgjegjës për arsimin. Institucioni do të financohet nga buxheti i shtetit dhe do të ketë juridiksion në të gjithë territorin e vendit.

Misioni i tij është garantimi i respektimit të kuadrit ligjor nga institucionet arsimore parauniversitare, përmes verifikimit të pajtueshmërisë me legjislacionin në fuqi dhe unifikimit të praktikave të inspektimit.

IQAP do të ketë kompetencë të vlerësojë përmbushjen e kritereve të licencimit nga shkollat private dhe, në rast shkeljesh, t’i propozojë ministrit pezullimin apo heqjen e licencës.

Struktura do të drejtohet nga një kryeinspektor, i cili do të emërojë inspektorët dhe stafin administrativ, do të administrojë buxhetin dhe do të raportojë drejtpërdrejt pranë ministrit të Arsimit.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe të drejtorive rajonale transferohen pranë IQAP-it. Punonjësit që ushtrojnë aktualisht funksione inspektimi do të vijojnë marrëdhëniet e punës në strukturën e re.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat