Shqipëria Postuar më 29 Janar 2026, 10:25

Krijohet Agjencia “Innovation4Albania” - Struktura e re për zhvillimin e ekosistemit të startup-eve

Nga Ernilda Luzi

Krijohet Agjencia “Innovation4Albania” - Struktura e re për

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ngritjen e Agjencisë “Innovation4Albania”, një institucion publik buxhetor nën varësinë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, me seli në Tiranë.

Agjencia financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe burime të tjera të ligjshme. “Innovation4Albania” ka si mision të kontribuojë, të nxisë dhe të promovojë inovacionin dhe angazhimin në administratën publike të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë në implementimin e teknologjive të përparuara. Njëkohësisht, “Innovation4Albania” do të luajë rol kyç në garantimin e funksionimit dhe zhvillimit të ekosistemit të startup-eve në Republikën e Shqipërisë, përmes mbështetjes financiare, institucionale dhe teknike të tyre.

Ndërkohë, Agjencia për realizimin e misionit të saj do të bashkëpunonojë me organizma vendas dhe ndërkombëtarë me fushë të ngjashme veprimtarie, me qëllim përthithjen e praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e zhvillimit të startup-eve. Gjithashtu, do të hartojë politika, projekte dhe iniciativa në fushën e inovacionit.

Një tjetër funksion i rëndësishëm i “Innovation4Albania” është menaxhimi dhe monitorimi i fondeve mbështetëse për startup-et, administrimi i Regjistrit të Startup-eve dhe Lehtësuesve, si dhe ofrimi i shërbimit “one stop shop” për sipërmarrjet e reja. Agjencia do të ndihmojë subjektet gjatë procesit të aplikimit, do të informojë për skemat e mbështetjes qeveritare dhe do të promovojë nismat shqiptare të inovacionit në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Vendimi parashikon gjithashtu ngritjen e Njësive të Inovacionit pranë ministrive të linjës dhe institucioneve qendrore. Këto njësi do të kenë si objekt identifikimin e koncepteve dhe proceseve novatore, kryerjen e analizave dhe studimeve krahasuese, si dhe propozimin dhe menaxhimin e projekteve zhvillimore në fushat përkatëse. Përmes këtyre njësive do të zbatohet edhe cikli i “Inovacionit të hapur”, që përfshin identifikimin e sfidave konkrete, zhvillimin e projekteve pilot dhe testimin e zgjidhjeve innovative.

Pranë Agjencisë do të ngrihet edhe Këshilli i Inovacionit, si një forum këshillimor dhe bashkërendues, që do të shërbejë për koordinim ndërmjet aktorëve kryesorë të inovacionit, pa kosto financiare për buxhetin e shtetit.

Me krijimin e “Innovation4Albania”, shfuqizohen dy struktura ekzistuese: Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve, si dhe Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës. Ndërsa, punonjësit, asetet dhe fondet e këtyre institucioneve do të transferohen pranë agjencisë së re, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat