Shqipëria Postuar më 23 Prill 2025, 11:12

Kreditë për shtëpi, bankat lehtësojnë kriteret - Vrojtimi i BSH: Për financimin e konsumit, marrja e një huaje bëhet më e vështirë

Nga Ledina Elezi

Kreditë për shtëpi, bankat lehtësojnë kriteret -

Qytetarët do e kenë më të lehtë të marrin një kredi në bankë për të blerë shtëpi. Sipas vrojtimit për aktivitetin kreditues të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë, bankat tregtare pritet të lehtësojnë standardet e kreditimit për blerjen, ndërtimin ose rikonstruksionin e një pasurie të paluajtshme rezidenciale, që mund të jetë shtëpi, godinë, apartament ose truall mbi të cilin do ndërtohet godina e banimit.

Kjo nënkupton se bankat nuk do të tregohen shumë të “rrepta” në kriteret që duhet të plotësojnë individët për të marrë kredi, kritere të cilat përfshijë gjendjen e të ardhurave të personit që kërkon të marrë një hua, moshën e tij, statusin e punësimit dhe të tjera.

Standardet e kreditimit mund të lehtësohen si rrjedhojë e ndryshimeve në koston e fondeve, bilancin e bankës, konkurrencës ndërmjet bankave, perceptimin më të ulët të rrezikut nga banka, tolerancës më të lartë ndaj rrezikut dhe ndryshimet rregullatore. Në tremujorin e dytë të vitit 2025, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë e lartë, si për financimin e konsumit, ashtu edhe për blerjen e banesave.

Megjithëse marrja e një kredie për të blerë shtëpi do të jetë më e lehtë përgjatë këtyre muajve, dhënia e kredive konsumatore nga bankat do të bëhet më e vështirë. Standardet e kreditimit parashikohet të shtrëngohen për huatë që merren me qëllim blerjen e mallrave dhe shërbimeve për konsum vetjak.

Në periudhën janar-mars, standardet, por edhe kushtet e termat e kreditimit mbetën thuajse të pandryshuara për individët. Nga vrojtimi i Bankës së Shqipërisë rezulton se bankat kanë refuzuar më shumë aplikime për kredi të qytetarëve. Kjo rritje e  shkallës  së refuzimeve  u  shkaktua  nga  politikat  e  bankave  lidhur  me  kolateralin  e  kërkuar.

Nga ana tjetër, kërkesa më e lartë për financimin e konsumit dhe ajo për financimin në blerjen e banesave ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Po ashtu, niveli i përgjithshëm i normave të interesit, si dhe zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave (që mund t'i referohet pritshmërisë për një rritje më të lartë të çmimeve të banesave në të ardhmen), sollën kërkesë më të lartë për kredi në tremujorin e parë.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat