Shqipëria Postuar më 4 Dhjetor 2025, 19:00

Kreditë për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë, Malaj: Investim strategjik për lidhje ndërkombëtare

Nga SCAN TV

Kreditë për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë, Malaj:

Kuvendi pritet të miratojë sot dy marrëveshje kredie dhe një marrëveshje granti për financimin e një prej projektet më të rëndësishme hekurudhore, siç është rehabilitimi dhe modernizimi i linjës Durrës – Rrogozhinë. Marrëveshjet janë paraqitur në Kuvend nga ministri i financave Petrit Malaj, i cili në fjalën e tij ka deklaruar se:   

“Ky projekt shënon fazën e parë të funksionimit të Korridorit Hekurudhor VIII, një nga më të rëndësishmit sa i takon lëvizjes dhe zhvillimit ekonomik në drejtimin Lindje–Perëndim të Europës. Projekti nuk është thjesht një ndërhyrje teknike mbi një trase hekurudhore, por një investim strategjik në garantimin e një ndërlidhjeje kombëtare dhe ndërkombëtare.

Është një hap konkret drejt një Shqipërie të integruar në Rrjetin Transevropian të Transportit (TEN-T), dhe një instrument kyç për përmbushjen e objektivave tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe tranzicionin e gjelbër.

Kostoja totale e projektit parashikohet në vlerën e rreth 120.5 milionë eurove dhe do të financohet përmes një bashkëpunimi të ngushtë me institucionet financiare ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian, që përfshin konkretisht:

Një kredi në vlerën prej 30 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH);

Një kredi tjetër prej 30 milionë euro nga Banka Evropiane për Investime (BEI) përmes kontratës financiare për projektin “Infrastruktura Hekurudhore e Korridorit VIII, Faza I – Shqipëri”;

Një grant në shumën prej 60.5 milionë euro i akorduar nga Bashkimi Evropian përmes Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF).

Ndaj projektligjet që sjellim për ratifikim përbëjnë një aspekt të  rëndësishëm në planin strategjik.

Korridori Hekurudhor VIII përbën një nga boshtet më të rëndësishme të lëvizshmërisë europiane.

Ai lidh Bregdetin Adriatik me Detin e Zi, përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke krijuar një rrugë alternative efikase për transportin ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve, me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomive tona.

Ky projekt përfaqëson angazhimin e shtetit shqiptar, jo vetëm për të përshpejtuar modernizimin e rrjetit të transportit, por edhe për të rritur ndërlidhjen ekonomike me rajonin, si dhe për të kontribuar në qëndrueshmërinë mjedisore dhe sociale.

Segmenti Durrës – Rrogozhinë, me gjatësi 34 kilometra, do të transformohet në një linjë moderne hekurudhore, që do të ndërtohet në përputhje të plotë me standardet teknike europiane, duke sjellë qarkullim me shpejtësi më të lartë dhe ndërlidhje me rrjetet rajonale dhe më gjerë.

Përmes rehabilitimit të kësaj linje do të mundësohet:

Forcimi i lidhjes ndërmjet Portit të Durrësit dhe qendrave industriale e logjistike të vendit;

Ndërlidhja me linjën Durrës – Tiranë, aktualisht në ndërtim, dhe më tej me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke mundësuar qarkullim të integruar të mallrave dhe udhëtarëve;

Lidhja me segmentin Vorë – Hani i Hotit, pjesë e projektit Flagship 3 të Planit të Investimeve të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor;

Mbështetja e zhvillimit ekonomik të zonave urbane të Rrogozhinës, Kavajës, Golemit dhe Lekajt, duke fuqizuar integrimin e tyre në rrjetin kombëtar dhe rajonal të transportit;

Nxitja e kalimit nga transporti rrugor në transportin hekurudhor, duke promovuar uljen e emetimeve të karbonit, si dhe duke përmbushur objektivat e Axhendës së Gjelbër të BE-së.

Ndaj mund të themi kjo linjë do të shërbejë si bosht kyç për zgjerimin e Korridorit VIII në lindje të vendit, drejt Elbasanit, Pogradecit dhe Maqedonisë së Veriut, duke e konsoliduar rolin e Shqipërisë, si një nyje strategjike në rrjetin e transportit të Ballkanit dhe më gjerë.

Projekti nga ana tjetër siguron një ndikim të drejtëpërdrejtë në ekonominë e zonave nga ku do të kalojë,

pasi parashikon :

Qarkullim për rreth 170  mijë udhëtarë dhe për mbi 480 mijë ton mallra në vit;

Krijimin e vendeve të reja të punës;

Reduktim të mëtejshëm të kostove të transportit;

Zhvillim të turizmit në zonat e ndërlidhura.

Në këtë mënyrë, rehabilitimi i linjës Durrës – Rrogozhinë përfaqëson një model të ri të qasjes sonë ndaj investimeve publike në infrastrukturë: një qasje që është teknike në standarde, strategjike në qëllim dhe evropiane në vizion. Ai përfaqëson bindjen tonë se, transporti hekurudhor është pjesë e pandashme e qëndrueshmërisë ekonomisë së vendit.

Sa i përket termave financiare të marrëveshjeve të huasë, më lejoni të saktësoj se:

Kredia me BERZH, në vlerën 30 milionë euro, ka një afat maturimi prej 17 vitesh, me 5 vite “grace period” dhe me një interes që do të përcaktohet mbi bazën e tregut në momentin e disbursimit, duke shtuar mbi normën e referencës Euribor 6 mujor plus një marzh prej 1%.

Kredia me BEI, gjithashtu 30 milionë euro, ka një maturim prej 25 vitesh, me 5 vite “grace period” për principalin. Kjo marrëveshje përmban opsionin e zgjedhjes ndërmjet interesit fiks apo variabël gjatë disbursimit. Ministria e Financave në bazë të vlerësimit do të miratojë edhe normën e interesit për çdo transh që disbursohet.

Nëse këtyre kredive i shtojmë edhe grantin prej 60.5 milionë euro, atëherë mund të themi se norma efektive e interesit do të jetë negative rreth -3.4%.

Kjo do të thotë se vetë granti mbulon plotësisht kostot e interesit të kredive dhe i tejkalon ato.

Ndaj, për të gjitha sa rendita më sipër, ju ftojmë t’i miratojmë këto projekligje, si një hap i domosdoshëm për përmbushjen e interesave publike, në dobi të proceseve integruese europiane.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat