Shqipëria Postuar më 9 Shtator 2026, 12:59

Kredia studentore - Subvencionim nga shteti, skema mbulon tarifat dhe kostot e jetesës

Nga Fabjona Pasho

Kredia studentore - Subvencionim nga shteti, skema mbulon tarifat dhe kostot e

Studentët që nuk arrijnë të përballojnë me të ardhurat e familjes tarifën e universitetit, apo shpenzimet e jetesësk, do të kenë sërish mundësi ti financojnë ato përmes kredisë studentore.

Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë kanë hapur procedurën për përzgjedhjen e bankave që do të ofrojnë kreditë për vitin e ri akademik. Bankat e interesuara duhet të konkurrojnë për normën e interesit, ndërsa përzgjedhja do të favorizojë ofertën më të ulët.

Skema nuk mbulon vetëm tarifën e universitetit. Kredia mund të përdoret edhe për kostot e jetesës së studentit, ndërsa sipas rregullave të programit, ajo jepet pa kolateral fizik.

Financimi kryhet me këste gjatë viteve të studimit dhe vazhdimi i tij lidhet me frekuentimin e universitetit dhe shlyerjen e tarifës përkatëse të shkollimit. Një pjesë e interesit subvencionohet nga buxheti i shtetit. Për studentët që plotësojnë kushtet e skemës, shteti mund të financojë deri në 5 pikë përqindjeje të normës së interesit, duke ulur kështu koston që i mbetet për t’u paguar studentit.

Edhe norma që ofrojnë bankat ka kufizime. Ajo duhet të jetë më e ulët se interesi mesatar që banka ka aplikuar për kreditë konsumatore gjatë dy viteve të fundit dhe nuk mund të ndryshojë gjatë gjithë kontratës së kredisë.

Studenti nuk detyrohet ta nisë shlyerjen gjatë kohës që është ende në universitet. Sipas skemës, pagesa e detyrimeve fillon jo më herët se përfundimi i kohëzgjatjes normale të programit të studimit, megjithëse kredimarrësi mund të zgjedhë ta shlyejë atë më herët.  Në kredi mund të përfshihen tarifa e shkollimit dhe shpenzimet e jetesës.

Studentët aplikojnë përmes e-Albania brenda 30 ditëve nga nisja e vitit akademik, ndërsa ata që ndjekin një program të dytë studimi nuk përfitojnë nga skema. Skema e kreditimit studentor është në fuqi prej vitit 2023.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat