Shqipëria Postuar më 14 Gusht 2026, 09:48

Kredia po bëhet më e lirë? - BSH: Rënia e interesave favorizon bizneset, ndërsa individët përballen me kosto më të lartë

Nga Ledina Elezi

Kredia po bëhet më e lirë? - BSH: Rënia e interesave

Kostoja e marrjes së një kredie ka shënuar një lehtësim të lehtë gjatë tremujorit të dytë të vitit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se normat e interesit kanë rënë në pjesën më të madhe të segmenteve, duke krijuar kushte disi më të favorshme financimi, veçanërisht për bizneset.

Për kreditë e reja në lekë, interesi mesatar zbriti në 6.3%, nga 6.5% në tremujorin e parë. Rënia është më e dukshme te bizneset e vogla, ku interesi për kreditë deri në 35 milionë lekë zbriti nga 7.8% në 7.1%.

Edhe kreditë për bizneset më të mëdha kanë shënuar një ulje të lehtë të kostos, ndërsa zhvillimi tregon se bankat po tregohen disi më fleksibël në financimin e aktivitetit të bizneseve.

Për individët, situata paraqitet më ndryshe. Interesi mesatar për kreditë e reja në lekë ra në 3.8%, nga 3.9% në tremujorin e mëparshëm. Pra, për ata që marrin kredi të re, kostoja mesatare është ulur lehtë.

Por kjo nuk vlen për çdo lloj huaje. Kredia konsumatore ka shënuar rritje të interesit, duke arritur në 8.7%, nga 8.4% më parë. Kjo do të thotë se për kredi për shpenzime personale, blerje pajisjesh apo nevoja të tjera konsumatore, kostoja e financimit nuk ka ndjekur të njëjtin trend rënës.

Ndryshime janë vërejtur edhe te kreditë në euro. Për bizneset, interesi mesatar ka zbritur në rreth 6%, duke reflektuar një ulje të kostos së financimit.

Ndërsa për individët që marrin kredi hipotekare në euro, tendenca ka qenë e kundërt. Norma mesatare është rritur në 5.2%, nga 4.9% në tremujorin e parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e interesit në këtë segment lidhet me rritjen e kostove të euros në tregun ndërkombëtar dhe me përcjelljen e tyre te kredimarrësit. Në tërësi, tregu i kredisë jep një sinjal pozitiv, por jo për të gjithë njësoj. Bizneset po përfitojnë nga kushte më të favorshme financimi, ndërsa individët duhet të shohin me kujdes llojin e kredisë dhe monedhën në të cilën marrin hua.

Për qytetarët dhe bizneset që planifikojnë të marrin kredi, diferenca mund të ketë ndikim në këstin mujor dhe në shumën totale që do të paguhet gjatë gjithë periudhës së kredisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat