Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2025, 11:22

Kredi 113.6 mln euro për reforma fiskale dhe në energji - Masat, zgjerim i bazës tatimore dhe mbështetje për energjinë rinovueshme

Nga Ola Mitre

Kredi 113.6 mln euro për reforma fiskale dhe në energji - Masat,

Qeveria do të marrë kredi prej 113.6 mln euro për të mbështetur fazën e dytë të programit “Aftësia ripërtëritëse dhe zhvillimi i gjelbër”, teksa projekligji për miratimin e huasë që do të merret nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim është depozituar në Kuvend për diskutim.

Në fokus të marrëveshjes janë tri fusha të ndërhyrjes: Forcimi i aftësisë ripërtëritëse të sektorit qeveritar dhe familjeve, forcimi i kuadrit për tregun e energjisë dhe përshkallëzimi i energjisë së rinovueshme dhe eficiencës së energjisë, si dhe mbrojtja e mjedisit dhe reduktimi i gjurmës së karbonit.

Për shtyllën e parë, ndër masat e parashikuara për zbatim përmenden: zgjerimi i bazës tatimore, duke miratuar listën e veprimtarive ekonomike që u nënshtrohen kërkesave të reja tatimore dhe duke zgjeruar përkufizimin për veprimtarinë e biznesit të turizmit. Po ashtu, duhet të ndërmerren ndryshime në ligjin e auditimit, me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e auditimit ligjor.

Në kuadër të forcimit të tregut të energjisë, nxitjes së burimeve të rinovueshme dhe eficiencës energjetike, do të duhet të ndërmarren disa masa kyçe: të ngrihet operatori i energjisë së rinovueshme dhe rregullat e funksionimit të tij, përfshirë rolin në kontratat për diferencë dhe balancimin e palëve përgjegjëse, të miratohen masa për mbështetje financiare të përdorimit të energjisë së rinovueshme për ngrohje dhe ftohje në familje, si dhe nxitje për investime private në energjinë diellore e të erës.

Gjithashtu, do të duhet të lehtësohet funksionimi i tregut të organizuar të energjisë nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX për konsumatorët.

Sa i takon shtyllës së tretë do të duhet të miratohet ligji për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, që i detyron prodhuesit të mbulojnë menaxhimin e mbetjeve të tyre, si dhe masa për uljen e shkarkimeve të gazrave serrë dhe atyre të fluoruara, përmes rritjes graduale të tatimit mbi karbonin.

 

Live TV

Të fundit
30 Nëntor

...

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

30 Nëntor

...