Shqipëria Postuar më 20 Janar 2026, 14:36

Kosova dhe Shqipëria, “ishuj” sigurie në Ballkan - Indeksi: Dy shtetet kryesojnë rajonin për nivelin më të ulët të kërcënimeve strategjike

Nga Ledina Elezi

Kosova dhe Shqipëria, “ishuj” sigurie në Ballkan -

Shqipëria renditet e 20-ta në botë për sa i përket kërcënimeve që i kanosen nga jashtë. Vendi është përmirësuar me 6 pozicione në krahasim me vitin 2024 që tregon një rritje të sigurisë dhe paqes.

Sipas Normandy Index 2025, të përgatitur nga Shërbimi Kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova dhe më pas Shqipëria kryesojnë rajonin e Ballkanit për nivelin më të ulët të kërcënimeve strategjike ndaj paqes dhe demokracisë.

Kosova renditet e 13-ta në botë dhe e para në Ballkanin Perëndimor për Siguri Strategjike. Shteti motër pozicionohet në mesin e 10% vendeve më të sigurta në botë.

Direkt pas Shqipërisë vjen Mali i Zi, ndërsa Maqedonia e Veriut pozicionet në vendin e 26-të. Nga ana tjetër, Serbia renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor, që tregon një ulje të sigurisë dhe rritje të kërcënimeve që i kanosen këtij shteti.

Që nga fundi i Luftërave Ballkanike në fillim të viteve 1990, Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në reformat politike dhe ekonomike saqë iu bashkua NATO-s në prill 2009 dhe hapi bisedimet me BE-në për anëtarësim në mars 2020. Shqipëria është një shembull i qartë i tolerancës dhe diversitetit fetar thotë Indeksi. Pavarësisht kësaj, vendi ende përballet me pengesa të konsiderueshme ekonomike dhe demokratike, si dhe sfida të lidhura me proceset demokratike.

Rreziku më i madh vjen nga pikërisht proceset demokratike. Zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë më 11 maj 2025 ishin 'konkurruese dhe të menaxhuara profesionalisht, por ato u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe garuesit nuk gëzuan një fushë loje të barabartë', theksohet në Indeks. Krizat ekonomike shfaqen si rreziku i dytë më i madh, ndjekur nga brishtësia e shtetit, siguria kibernetike, ndryshimet klimatike dhe krimi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat