Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2026, 11:09

Korriku rrit konsumin e karburanteve - Zhdoganohen mbi 75 mijë ton, bie importi i kafesë dhe cigares

Nga Elisabeta Dosku

Korriku rrit konsumin e karburanteve - Zhdoganohen mbi 75 mijë ton, bie

Kulmi i sezonit turistik ka sjellë dhe rritje të importit dhe konsumit të karburanteve lidhur kjo me lëvizjet e shtuara në periudhë pushimesh, ardhjen e emigrantëve si dhe rritjen e fluksit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë. 

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave,  tregojnë se pas disa muajsh rënie të vazhdueshme për shkak të rritjes së çmimit të naftës, muaji Korrik të sjellë një ndryshim, duke bërë që sasia e importuar të jetë me e lartë se Korrik 2025.

Konkretisht gjatë muajit që lamë pas u zhdoganuan 75.7 mijë ton karburante nga 70.9 mijë ton që u importuan në Korrik 2025, duke rezultuar me një rritje prej 4861 ton. 

Por pavarësisht rritjes në muajin Korrik, duket se shifrat nuk kanë kompensuar atë që ka ndodhur përgjatë vitit.

Nëse do të bëjmë një krahasim si 7-mujor, vihet re se për Janar-Korrik 2026 janë importuar 407,9 mijë ton karburante dhe rreth 8199 ton më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, muaji Mars dhe në vijim solli një rritje të ndjeshme të çmimit të naftës dhe benzinës në vend,  duke arritur në nivele rreth 224 lekë/litër,  duke nxitur vënien në funksion të Bordit të Transparencës me qëllim përcaktimin e çmimeve tavan të shitjes me shumicë dhe pakicë.  Çmimet u stabilizuan në muajin Qershor dhe Korrik, për t’iu rikthyer sërish rritjes në muajin Gusht.

Sa i takon mallrave të tjerë të akcizës,  vihet re rënie e importeve gjatë muajit Korrik 2026 për cigaret, kafenë dhe rritje e lehtë për  birrën.

Konkretisht janë importuar 328 ton cigare, me rënie prej 75 ton në raport me Korrik 2025,  591  ton kafe, që gjithashtu rezulton me rënie prej 242 ton krahasuar me muajin Korrik të vitit të kaluar.

Importi i birrës është rritur, ku u zhdoganuan 8 mijë tonë, nga 7.7 mijë ton në Korrik të 2025.

Ndërsa si 7-mujor, importi i cigareve dhe  kafesë  rezultojnë në rritje të lehtë dhe birra rezulton në rënie.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat