Shqipëria Postuar më 18 Shkurt 2026, 09:54

Korridori VIII, boshti i sigurisë së NATO-s/ Nga transporti i mallrave, te lëvizja e trupave. Forcon krahun juglindor të Aleancës

Nga Ledina Elezi

Korridori VIII, boshti i sigurisë së NATO-s/ Nga transporti i

Jo vetëm për lëvizjen e mallrave dhe pasagjerëve, por edhe të trupave ushtarakë. Korridori VIII është gjithashtu edhe një korridor sigurie i NATO. Gjatë Ministerialit të mbajtur pak ditë më parë me Ministrat e Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, Korridori VIII i cili nis nga brigjet e Italisë, kalon në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe përfundon në Bullgari, u certifikua si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive të Aleancës.

Ky zhvillim e pozicionon Shqipërinë në një nyje strategjike të arkitekturës së sigurisë euroatlantike dhe e vendos vendin në qendër të planeve rajonale dhe infrastrukturave, ku NATO do të përqendrohet në vitet në vijim.

Në një kohë tensionesh të shtuara në Evropën Lindore dhe pas luftës në Ukrainë, rëndësia e infrastrukturës që garanton lëvizshmëri të shpejtë është kthyer në prioritet. Për NATO-n, siguria nuk lidhet vetëm me praninë ushtarake, por me aftësinë për të lëvizur shpejt trupa, mjete të rënda dhe furnizime nga një pikë në tjetrën.

Në rast krize, kjo infrastrukturë mundëson dislokim më të shpejtë drejt lindjes së Evropës. Investimet përfshijnë jo vetëm asfalt dhe hekurudha të reja, por edhe përforcim urash, standarde për transport të rëndë dhe rritje të kapaciteteve portuale, elementë thelbësorë për lëvizshmërinë ushtarake.

Korridori VIII është edhe një arterie ekonomike. Ai shkurton kohën e transportit të mallrave, rrit qarkullimin tregtar dhe e pozicionon Shqipërinë si portë hyrëse për tregjet e Ballkanit dhe më gjerë. Një rrugë më e shpejtë për mallrat do të thotë kosto më të ulëta, investime më të mëdha dhe rritje e konkurrueshmërisë.

Gjeopolitikisht, ky bosht forcon lidhjen euro-atlantike të rajonit. Ai rrit ndërvarësinë mes vendeve të Ballkanit dhe i integron ato më fort në strukturat perëndimore.

E thënë në mënyrë të pëmbledhur, ai ul varësinë nga korridoret tradicionale veriore, krijon një bosht të ri lindje–perëndim në jug të Europës dhe rrit sigurinë e zinxhirit të furnizimit për vendet e NATO-s në rajon.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat