Shqipëria Posted on 2026-02-12 20:04:00

Korridori 8 zyrtarisht në infrastrukturën kritike të NATO-s, Vengu: Shqipëria, nyje strategjike e sigurisë euroatlantike

From SCAN TV

Korridori 8 zyrtarisht në infrastrukturën kritike të NATO-s,

Korridori 8, me pikënisje në kompleksin portual Durrës–Porto Romano dhe dalje në Detin e Zi është përfshirë zyrtarisht në planet dhe infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s, duke u njohur si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive të Aleancës. Vendimi u bë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, në përfundim të Ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare, të mbajtur në Bruksel.

Ky zhvillim e pozicionon Shqipërinë në një nyje strategjike të arkitekturës së sigurisë euroatlantike dhe e vendos vendin në qendër të planeve rajonale dhe infrastrukturave, ku NATO do të përqendrohet në vitet në vijim.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu deklaroi se, përfshirja e Korridorit Tetë është rezultat i “një pune disa vjeçare të disiplinuar, të qartë, të qëndrueshme”.

"Kjo është një arritje konkrete, që e pozicionon Shqipërinë në zemrën e të gjitha planeve rajonale dhe në zemrën e të gjitha infrastrukturave, ku aleanca do përqëndrohet në vitet në vijim", nënvizoi ministri Vengu.

Në fokus të ministerialit ishte edhe e ardhmja e operacioneve, ku Shqipëria kontribuon, veçanërisht misioni i KFOR-it në Kosovë. Sipas ministrit, "Shqipëria do rrisë kapacitetet e saj dhe përfshirjen në këtë mision, për herë të parë edhe me forcën e saj ajrore. Ndërkohë që në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komandën amerikane në Europë po bëhen të gjitha rivlerësimet e nevojshme për të ardhmen e këtij misioni, ç'ka përbën edhe një okazion shumë të mirë për qeverinë e re të sapozgjedhur në Kosovë që të rrisë bashkëpunimin cilësor gjithnjë e më të ngushtë me aleancën", sqaroi Ministri i Mbrojtjes.

Një tjetër pikë e diskutimeve ishte rritja e investimeve në mbrojtje dhe ristrukturimi i industrisë ushtarake në vendet aleate. “Shqipëria e ka nisur me vendosmëri këtë rrugë dhe çdo ditë po krijojmë kapacitete të reja përsa i përket industrisë tonë me disa kontrata të lidhura dhe disa kontrata në negocim e sipër,” u shpreh ministri Vengu, duke shtuar se këto zhvillime u mirëpritën nga aleatët.

Ndërkohë, kanë nisur edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027, në bashkëpunim me palën turke dhe sekretariatin e Aleancës në Bruksel.

Live TV

Latest news
All news

Most visited