Shqipëria Postuar më 11 Nëntor 2025, 11:02

Kontrolle ndaj pesticideve dhe produkteve bujqësore - Pr.buxheti 2026, ISUV: Mbi 650 milionë lekë për forcimin e sigurisë ushqimore

Nga Diamila Leka

Kontrolle ndaj pesticideve dhe produkteve bujqësore - Pr.buxheti 2026,

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka zhvilluar një takim me fermerë, grumbullues, eksportues e importues për të diskutuar mbi përdorimin e pesticideve dhe sigurinë e produkteve bujqësore. Në takim, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe institucioneve të varësisë, u theksua përdorimi i pesticideve të palejuara dhe mungesa e dokumentacionit për gjurmueshmërinë e produkteve.

AKU kërkoi që pikat e grumbullimit të sigurojnë analizat përkatëse, ndërsa farmacitë bujqësore të tregtojnë vetëm pesticide të autorizuara dhe të udhëzojnë fermerët mbi përdorimin korrekt të tyre, duke garantuar ushqime më të sigurta për konsumatorin.

Në të njëjtën linjë, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare ka parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2026 një projekt të ri me vlerë 224 milionë lekë për forcimin e kapaciteteve laboratorike dhe ngritjen e infrastrukturës për analizat e mbetjeve të pesticideve dhe metaleve të rënda në bimë. Për periudhën 2026–2028, ISUV do të investojë gjithashtu 433 milionë lekë për pajisje laboratorike moderne, që do të rrisin saktësinë dhe efikasitetin e kontrolleve ushqimore.

Ndërkohë, AKU vijon inspektimet në terren për kontrollin e tregtimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve. Në qarqet Vlorë, Lezhë dhe Elbasan janë kryer 18 inspektime, ku në disa raste janë gjetur produkte të paregjistruara dhe aktivitet pa licencë, për të cilat janë vendosur masa administrative me paralajmërim dhe gjoba.

Produkte të dyshimta janë bllokuar për mospërputhje me etiketimin apo për mungesë regjistrimi në Regjistrin Kombëtar të Ministrisë së Bujqësisë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se do të vazhdojë kontrollet në të gjithë vendin, ndërsa institucionet përgjegjëse angazhohen për të garantuar ushqime më të sigurta, treg më të ndershëm dhe mbrojtje efektive të konsumatorit shqiptar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat