Shqipëria Postuar më 20 Prill 2026, 14:43

Kontratat e mbështetjes për prodhuesit e energjisë - ERE: Tregu nuk është gati për t’i konvertuar në kontrata për diferencë

Nga Ola Mitre

Kontratat e mbështetjes për prodhuesit e energjisë - ERE: Tregu

Vlerësimi periodik i funksionimit të Tregut të Ditës në Avancë tregon se tregu shqiptar nuk është mjaftueshëm i zhvilluar për të prodhuar një çmim reference të qëndrueshëm, duke pamundësuar konvertimin e kontratave ekzistuese të mbështetjes së prodhuesve të energjisë nga burime të rinovueshme (PPAs) në kontrata për diferencë (CfDs).

Sipas analizës të kryer nga Enti Rregullator i Energjisë, edhe pse janë shënuar disa zhvillime pozitive, tregu i ditës-në-avancë në Shqipëri ende nuk plotëson kushtet për t’u konsideruar plotësisht funksional në këtë drejtim.

Një nga gjetjet kryesore lidhet me likuiditetin e tregut. Faktori i qarkullimit në ALPEX rezulton ndjeshëm më i ulët krahasuar me tregjet e Bashkimit Evropian të përdorura si referencë, çka tregon një nivel më të kufizuar të aktivitetit tregtar në raport me madhësinë e tregut. Në të njëjtën kohë, diferenca mes ofertës dhe kërkesës, një tjetër tregues i rëndësishëm, rezulton më e lartë se në tregjet krahasuese, duke sinjalizuar vështirësi për të realizuar transaksione pa luhatje të ndjeshme çmimi.

Megjithatë, dokumenti evidenton edhe disa zhvillime inkurajuese. Për më shumë se 10 muaj, tregu ka prodhuar një çmim të pandërprerë për çdo orë, ndërsa numri i pjesëmarrësve konsiderohet i krahasueshëm me vendet e BE-së. Po ashtu, tregu i përbashkët Shqipëri-Kosovë ka funksionuar në mënyrë të integruar në mbi 99% të kohës, duke reflektuar një nivel të lartë bashkërendimi rajonal.

Një tjetër element është aftësia e tregut për të përthithur prodhim të ri nga burimet e rinovueshme. Sipas të dhënave, në rreth 25% të orëve të analizës, tregu nuk do të kishte qenë në gjendje të absorbojë volume të reja energjie pa ndikuar negativisht në çmim, çka përbën një kufizim për zgjerimin e kapaciteteve të gjelbra.

Ky vlerësim nënkupton se tranzicioni drejt skemave më të avancuara, si kontratat për diferencë, do të kërkojë më tej rritje të likuiditetit, konkurrencës dhe thellësisë së tregut.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat