Shqipëria Postuar më 14 Gusht 2025, 13:32

“Konsumi familjar dhe investimet rritën ekonominë” - Themeli: Zhvillime pozitive, por rreziqet nga mjedisi i jashtëm mbeten të mëdha

Nga Ledina Elezi

“Konsumi familjar dhe investimet rritën ekonominë” -

Në tremujorin e dytë, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, por me një ritëm më të ngadaltë se vitin e kaluar dhe se parashikimet e Bankës së Shqipërisë. Sipas Drejtorit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, ajo u mbështet nga zgjerimi i konsumit familjar dhe investimeve.

Ekonomia do të vazhdojë të rritet edhe në tremujorët e ardhshëm, në intervalin 3.5% deri në 4%.

“Rritja ekonomike në nivelin 3.4% ishte më se e mjaftueshme për të gjeneruar rritje të punësimit dhe të pagave për ekonominë shqiptare. Po ashtu, ngadalësimi i rritjes ekonomike është një fenomen i shëndetshëm, sepse mundëson një balancim më të mirë të kërkesës dhe ofertës agregate në ekonomi për periudhën e ardhshme. Rritja ekonomike është mbështetur nga zgjerimi i konsumit familjar dhe investimeve të sektorit privat, por gjithashtu është mbështetur kryesisht nga rritja e eksportit të shërbimeve, por vecantia e tremujorit të parë ka qenë edhe rritja e eksportit të mallrave. Aktiviteti ekonomik është mbështetur edhe nga një kredi e bollshme”, theksoi Themeli.

Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të mos ndryshuar normën bazë të interesit erdhi për të parë ndikimin që do të ketë në tregje ulja e normës bazë në 2.5% që u bë gjatë korrikut.

“Vendimi për të mbajtur të pandryshuar normën e interesit motivohet nga fakti që në gjykimin tonë, niveli aktual i normave të interesit, sasia e likuiditetit në treg, ritmi i zgjerimit të kredisë, por në një masë të konsiderueshme edhe niveli i kursit të këmbimit, janë të përshtatshme për përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit. Ky vendim vjen pas një reduktimi të normës bazë të interesit që Banka e Shqipërisë bëri në fillim të muajit korrik. Nisur nga koha e shkurtër që ka kaluar nga ky vendim, ne gjykuam që duhej t'i jepnim më shumë kohë transmetimit të plotë tij në tregjet financiare për të parë impaktin që do të ketë në këto tregje dhe më tej në aktivitetin ekonomik”, tha ai.

Drejtori i Politikës Monetare u shpreh se megjithëse perspektiva e zhvillimeve ekonomike në të ardhmen është pozitive, po ashtu është i vërtetë fakti që rreziqet kryesisht nga mjedisi i jashtëm mbeten të mëdha.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat