Shqipëria Postuar më 26 Mars 2026, 11:34

Konglomeratet financiare “nën lupë” - Kontroll i përbashkët për grupet që operojnë në disa sektorë financiarë njëkohësisht

Nga Ledina Elezi

Konglomeratet financiare “nën lupë” - Kontroll i

Grupet e mëdha financiare do të jenë tashmë nën mbikëqyrje të integruar nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Të ashtuquajtura konglomerate financiare ekzistojnë edhe në Shqipëri, dhe përfshijnë rastet kur brenda një grupi financiar operojnë banka, kompani sigurimi, fonde investimi dhe institucione të tjera që ofrojnë shërbime financiare.

Ministria e Financave sapo ka publikuar për konsultim publik një projektligj që synon të përmirësojë klimën e përgjithshme të sigurisë financiare në vend dhe të përafrojë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Evropian në këtë fushë.

Aktualisht, korniza ligjore shqiptare nuk parashikon mbikëqyrje të konsoliduar për konglomeratet financiare, pasi Banka e Shqipërisë mbikëqyr veçmas institucionet bankare dhe subjekte të tjera financiare jo bankare, ndërsa Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mbikëqyr tregun e sigurimeve, tregun e titujve dhe tregun e fondeve. Pra, mungon një mekanizëm i integruar për të mbikëqyrur tërësinë e një grupi kur ky grup operon në disa sektorë njëkohësisht.

Me anë të këtij projektligji synohet të parandalohet “përdorimi i dyfishtë i kapitalit”, pra situata kur i njëjti kapital llogaritet njëkohësisht si kapital rregullator në disa subjekte të grupit, si dhe të kufizohet leverazhi i tepruar brenda grupit, që mund të krijohet kur një shoqëri mëmë huazohet për të financuar kapitalin e shoqërive bija. Ngritja e një sistemi efektiv bashkëpunimi midis Bankës së Shqipërisë (BSH) dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), dy rregullatorët kryesorë sektorialë, për mbikëqyrjen e integruar të konglomerateve, është gjithashtu pjesë e këtij projektligji.

Mungesa e një ligji të tillë deri më tani ka krijuar hapësirë për pasiguri juridike dhe rreziqe të pa menaxhuara në sektorin financiar. Miratimi i tij do të krijojë kushte të barabarta loje midis grupeve financiare shqiptare dhe atyre të vendeve të BE-së, duke u mundësuar subjekteve tona të operojnë në përputhje me të njëjtat standarde prudenciale, si dhe duke e afruar sistemin tonë financiar me tregun e brendshëm evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat