Shqipëria Postuar më 2 Mars 2026, 14:39

Komuniteti i Energjisë: Shqipëria dha mesazh të qartë për dekarbonizimin- Raporti/ Angazhime konkrete, tani vetëm 22-23% përbëhet nga burime të rinovueshme

Nga Ola Mitre

Komuniteti i Energjisë: Shqipëria dha mesazh të qartë

Vendi ynë ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt përputhjes me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e eficiencës së energjisë, pasi ka dorëzuar pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë Dokumentin e Angazhimit për dekarbonizimin e sektorit të ngrohjes dhe ftohjes.

Sektori i ngrohjes dhe ftohjes përbën rreth një të tretën e konsumit final të energjisë në vend, ndërsa burimet e rinovueshme mbulojnë aktualisht vetëm 22–23% të kësaj kërkese. Këto të dhëna nënvizojnë potencialin e madh të pashfrytëzuar dhe rëndësinë qendrore të këtij sektori në rrugëtimin e vendit drejt uljes së emetimeve dhe transformimit të sistemit energjetik.

Sipas Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, një sërë teknologjish të pastra rezultojnë ekonomikisht të favorshme dhe mund të përshpejtojnë modernizimin e sektorit. Panelet diellore identifikohen si opsioni kryesor për prodhimin e ujit të ngrohtë sanitar, ndërsa kombinimi i tyre me pompat e nxehtësisë sjell përfitime të shtuara ekonomike. Për ngrohjen e ambienteve, pompat e nxehtësisë përmenden si teknologji tranzicioni me rendiment të lartë. Në shkallë të gjerë, sistemet e ngrohjes qendrore me biomasë ose zgjidhjet hibride që ndërthurin panelet dhe pompa nxehtësie rezultojnë ndër opsionet më kosto-efektive për zonat urbane.

Dorëzimi i dokumentit të vlerësimit krijon bazën e nevojshme analitike për zhvillimin e politikave afatgjata, planifikimin e sektorit dhe orientimin e investimeve. Sekretariati e përshëndeti angazhimin e Shqipërisë, duke vënë në dukje se dokumenti dërgon sinjale të qarta për partnerët e zhvillimit, institucionet financiare dhe investitorët privatë lidhur me mundësitë që ofron rajoni për projekte të gjelbërta në sektorin e ngrohjes dhe ftohjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat