Shqipëria Postuar më 3 Janar 2026, 11:42

Kompensimi 10% i TVSH-së për fermerët në fuqi/ Skema mbështet kostot e prodhimit dhe rrit transparencën

Nga Alida Lula

Kompensimi 10% i TVSH-së për fermerët në fuqi/ Skema

Prej fillimit të vitit, fermerët që tregtojnë prodhimet e tyre përmes kanaleve formale përfitojnë skemë të re mbështetjeje financiare. Bëhet fjalë për kompensimin 10% të TVSH-së, i cili zbatohet për shitjet te grumbulluesit, përpunuesit dhe agroturizmin e certifikuar, kjo duke u bazuar në sistemin e autofaturimit dhe verifikimin elektronik të të dhënave. Ndryshe nga praktikat e mëparshme, përllogaritja e kompensimit nuk kryhet nga vetë fermeri, por nga subjekti blerës. Autofatura e lëshuar shërben si dokumenti kryesor mbi të cilin aplikohet norma 10%, e cila i kthehet fermerit pas përfundimit të procedurave të kontrollit. Kjo qasje, synon të thjeshtojë procesin dhe të reduktojë informalitetin në tregtinë e produkteve bujqësore.

Skema është konceptuar për të lehtësuar barrën financiare të fermerëve, të cilët përballen me kosto të larta për furnizimin me inpute bujqësore, përfshirë farat, fidanët dhe plehrat kimike. Rimbursimi i pjesshëm i TVSH-së, pritet të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e kostos së prodhimit dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së këtij sektori.

Për fermerët e pajisur me NIPT tatimor, por të paregjistruar në QKB, dokumentimi financiar kryhet nga pala blerëse, e cila mban përgjegjësinë për lëshimin e autofaturës sipas legjislacionit në fuqi. Ndërkohë, fermerët kanë detyrimin të verifikojnë dhe konfirmojnë elektronikisht çdo faturë të regjistruar në emrin e tyre, si një mekanizëm mbrojtës kundër keqpërdorimeve. Pas kontrollit nga administrata tatimore, shuma e kompensimit transferohet drejtpërdrejt në llogarinë bankare të fermerit. Sipas autoriteteve, digjitalizimi i gjithë procesit rrit transparencën dhe garanton gjurmueshmërinë financiare në çdo hallkë të zinxhirit të furnizimit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se mijëra fermerë janë tashmë pjesë e sistemit tatimor, duke e shtrirë efektin e kësaj skeme në bazë më të gjerë prodhuesish. Kompensimi 10% i TVSH-së konsiderohet një ndër masat kyçe për mbështetjen e bujqësisë dhe për forcimin e ekonomisë rurale nëpërmjet formalizimit të tregut.


 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat