Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2026, 10:27

Kompanitë detare do raportojnë për gazet serrë - Rregulla të reja për anijet, do monitorohen shkarkimet e CO₂, metani dhe N₂O

Nga Ola Mitre

Kompanitë detare do raportojnë për gazet serrë - Rregulla

Kompanitë e transportit detar do të duhet të monitorojnë dhe raportojnë shkarkimet e gazeve serrë të anijeve që operojnë përmes porteve shqiptare. Detyrimet parashikohen në një projektvendim të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që synon ngritjen e një sistemi të standardizuar për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e emetimeve nga transporti detar.

Rregullorja përfshin anijet tregtare për transportin e mallrave dhe pasagjerëve, me tonazh bruto nga 400 GT e lart, si dhe anijet offshore. Gazet që do të monitorohen janë dioksidi i karbonit, metani dhe dioksidi i azotit.

Sipas projektaktit, kompanitë duhet të hartojnë për çdo anije një plan monitorimi, ku përcaktohet mënyra se si do të maten dhe raportohen shkarkimet. Planet do të kontrollohen nga verifikues të akredituar dhe më pas do të miratohen nga Drejtoria e Përgjithshme Detare. Monitorimi do të përfshijë emetimet nga djegia e karburanteve si gjatë lundrimit, ashtu edhe gjatë qëndrimit të anijeve në porte.

Për çdo udhëtim do të regjistrohen ndër të tjera sasia dhe lloji i karburantit të konsumuar, gazet serrë të shkarkuara, distanca e përshkuar, koha e kaluar në det, ngarkesa dhe aktiviteti i transportit. Ndërkohë, të dhënat do të përmblidhen edhe në baza vjetore.

Zbatimi i sistemit të ri do të ketë edhe kosto për kompanitë. Relacioni që shoqëron projektvendimin vlerëson se, kur nevojitet punësimi i një punonjësi teknik për monitorimin dhe raportimin, kostoja mund të arrijë në rreth 1.3–1.5 mln lekë në vit. Për buxhetin e shtetit ndërkohë nuk parashikohen kosto financiare shtesë, pasi sipas relacionit Drejtoria e Përgjithshme Detare disponon kapacitetet dhe burimet njerëzore të nevojshme për zbatimin e sistemit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat