Shqipëria Postuar më 20 Janar 2026, 14:40

Komisioni i Ligjeve miraton Aktin Normativ për Buxhetin 2025 — Prioritet mbështetja sociale dhe rialokimet fiskale

Nga SCAN TV

Komisioni i Ligjeve miraton Aktin Normativ për Buxhetin 2025 —

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi para Komisionit të Ligjeve Aktin Normativ Nr.11, i cili sjell disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025”. Sipas tij, ndryshimet janë të domosdoshme për të adresuar nevoja sociale urgjente dhe për të optimizuar zbatimin e programeve publike.

Akti synon transferimin e fondeve të papërdorura gjatë vitit 2025 në një llogari të posaçme pranë Bankës së Shqipërisë për mbështetjen e skemës së pensioneve, mbështetjen e familjeve në nevojë, personave me aftësi të kufizuara dhe kujdestarëve të tyre, si dhe rialokimin e kursimeve drejt programeve me performancë më të lartë. Qeveria parashikon që të paktën 150 milionë euro të kalojnë në këtë llogari.

Nga aspekti makroekonomik, Malaj theksoi se ekonomia u rrit me 4% në 2024 dhe parashikimi për 2025 është 3.9%. Borxhi publik pritet të qëndrojë nën 54% të PBB-së në fund të 2025, niveli më i ulët që nga viti 2010. Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet shënuan rritje të ndjeshme, me realizim afërsisht 99.6% të planit vjetor.

Në kuadër të shpenzimeve, totali mbetet i pandryshuar, ndryshimet janë kryesisht rialokime neutrale për deficitin buxhetor. Midis masave kryesore janë: bonus fundviti 15,000 lekë për 148,500 përfitues të Ndihmës Ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara (shuma totale rreth 2.23 miliardë lekë); financim shtesë për fermerët (2 miliardë lekë) duke çuar mbështetjen totale në 6.4 miliardë lekë; dhe 1.76 miliardë lekë për furnizime medikamentesh në QSUT dhe spitale të tjera.

Gjithashtu janë alokuar 1.3 miliardë lekë për Ministrinë e Brendshme (kompensime, puna jashtë orarit, dieta) dhe 847 milionë lekë për aktivitete sportive kombëtare dhe ndërkombëtare. Në shpenzimet kapitale u bëri rialokime për projekte me performancë të mirë: 5.8 miliardë lekë për rrugë, 4 miliardë lekë për transport ajror (përfshirë mbështetjen për Albcontrol) dhe 508 milionë lekë për ujësjellës-kanalizime.

Për investime strategjike, u parashikuan 551 milionë lekë për blerjen e Selisë Diplomatike në Londër, dhe rreth 200 milionë lekë për përshpejtimin e projektit të Institutit të të Miturve në Ministrinë e Drejtësisë. Një fond prej 1.2 miliardë lekësh do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të bashkive, duke mbuluar rreth 40% të totalit të tyre.

Ministri theksoi se Akti Normativ është një instrument menaxhimi buxhetor me përgjegjësi politike, që ruan ekuilibrat fiskalë, mbështet ndjeshmërinë sociale dhe siguron vijueshmërinë e konsolidimit fiskal dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat