Shqipëria Postuar më 25 Qershor 2025, 17:31

Kolegji i Mbikëqyrësve, BSH mirëpret takimin e BQE, Ahmetaj: Ruajtja e stabilitetit financiar, detyrë parësore

Nga SCAN TV

Kolegji i Mbikëqyrësve, BSH mirëpret takimin e BQE, Ahmetaj:

Në datat 25-26 qershor 2025 u zhvillua takimi i Kolegjit të Mbikëqyrësve, i organizuar nga Banka Qëndrore Evropiane (BQE) dhe i mikpritur nga Banka e Shqipërisë. Ky Kolegj zhvillohet çdo vit nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), me qëllim vlerësimin e përbashkët të riskut për çdo grup bankar që mbikëqyret nga BQE-ja dhe për herë të parë një takim i tillë u mbajt në Shqipëri.

Pjesëmarrësit në takim ishin përfaqësues nga BQE-ja, Autoriteti Bankar Evropian (EBA), Banka Qendrore e Austrisë, si dhe nga autoritetet mbikëqyrëse. Aktiviteti u çel me fjalën përshëndetëse të Zëvendësguvernatores së Dytë të Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj.

Zëvendësguvernatorja Ahmetaj u shpreh se zhvillimet e vrulleshme gjeopolitike në ditët tona, me një kombinim faktorësh dhe aktorësh të panjohur më parë, sjellin pasiguri dhe paqartësi, ndaj ruajtja e stabilitetit financiar mbetet detyrë parësore për garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit. Vetëm mbi bazën e një sistemi financiar të qëndrueshëm, ne mund të synojmë alokimin eficent të burimeve, punësimin afër normës natyrore të ekonomisë, apo stabilitet të çmimeve. Vlera e vërtetë e stabilitetit financiar kuptohet më mirë në destabilitet. Gjatë turbulencave financiare, ne jemi dëshmitarë se si bankat hezitojnë të kreditojnë ekonominë, bursat tronditen dhe lajmet për falimente bankash bëhen titujt kryesorë.

Ajo shtoi se një regjim rregullues dhe mbikëqyrës, sado i përkryer, nuk mund të garantojë një sektor bankar të qëndrueshëm, nëse vetë bankat nuk përshtasin dhe modernizojnë qeverisjen dhe praktikat e tyre të menaxhimit të riskut. Stabiliteti i sektorit bankar mbi të gjitha është çështje e sjelljes së duhur, të njëkohshme, kolektive dhe sipas një qëllimi konvergues: qëndrueshmërisë afatgjatë.

Në Shqipëri, të dhënat tregojnë për një rritje të qëndrueshme ekonomike, përmirësim të dukshëm në treguesit fiskalë, ulje të deficitit tregtar, kryesisht të financuar nga investimet e huaja direkte, inflacion të ulët, performancë pozitive të sistemit financiar, një kuadër mbikëqyrës të përafruar me atë të BE-së, si edhe pozicion të mirë financiar të bizneseve dhe familjeve. “Të gjitha këto sugjerojnë se bankat në Shqipëri operojnë në një ambient rregullativ të formatuar sipas modeleve më të mira për të mundësuar qëndrueshmëri dhe efektivitet në afat të gjatë. Prezenca e bankave me kapital nga vendet e BE-së e mbështet fort këtë qellim, duke siguruar që modelet e mira t’i kemi mes nesh. Dhe modele të tilla nuk rreshtin së qeni një burim dijesh dhe besimi për publikun shqiptar.”- theksoi Zëvendësguvernatorja Ahmetaj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat