Shqipëria Postuar më 1 Maj 2026, 10:36

Kohët e arta të euros kanë përfunduar - Që prej datës 1 prill, 1 euro është barazuar me 95 lekë. Leku, më i fortë se kurrë

Nga Ledina Elezi

Kohët e arta të euros kanë përfunduar - Që prej

Kursi i këmbimit vijon të jetë në favor të lekut, ndërsa euro ka prekur fundin. Që prej fillimit të vitit e deri më tani, monedha evropiane vetëm sa është ulur në raport me lekun.

Të gjithë ata që zotërojnë euro dhe për arsye të ndryshme duhet t’i konvertojnë në lek, do të humbasin, pasi nëse më parë për 1 euro merrje 120 lekë, tashmë 1 euro këmbehet me 95 lekë. Ndërsa ata që duan të konvertojnë lekun me euro, përfitojnë më shumë, sepse për 95 lekë do të marrin 1 euro. 

E thënë me fjalë të tjera, për personat që i kanë të ardhurat e tyre në euro e domodoshmërisht edhe shpenzimet në lekë, pasi jetojnë në Shqipëri, ky kurs këmbimi nuk është aspak në favor.

Kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë tregon se vija e kuqe prej 100 lekësh që ishte dikur, është thyer prej kohësh dhe vështirë se do të arrihet më. Më 24 prill, euro do të arrinte nivelin më të ulët ndonjëherë, duke u këmbyer për herë të parë me vetëm 95.50 lekë. Pavarësisht se duke nisur nga marsi ka pasur luhatje të këmbimit të euros herë me 96 lekë dhe herë me 95 lekë, që prej datës 1 prill, euro ka ngelur në nivelin e 95 lekëve.

Banka e Shqipërisë ka vijuar të kryejë ndërhyrje në tregun valutor përmes ankandeve për blerjen e valutës. Për efekt sa të stabilizimit të kursit të këmbimit dhe sa të rritjes së rezervës valutore, Banka jonë Qendrore bleu rreth 1 miliard e 27 milionë euro gjatë 2025.

Aktorët që humbasin janë tashmë të njohur, bizneset eksportuese (si ato në industrinë fasone apo bujqësi) që shpesh kanë ngritur zërin për pasojat që po sjell kursi i këmbimit në aktivitetin e tyre. Këto biznese fitojnë të ardhura në euro nga prodhimi që dërgojnë për eksport, por shpenzimet i kanë në lekë.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë e përdor forcimin e lekut si një nga mjetet për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Importuesit, ata që blejnë mallra jashtë vendit gjithashtu përfitojnë, pasi u duhen më pak lekë për të blerë të njëjtën sasi malli në euro.

Nga ana tjetër, kur leku forcohet, kostoja për të shlyer borxhin publik, shumica e të cilit është në monedhë të huaj, ulet, duke përmirësuar bilancin e shtetit. Edhe ata që kanë marrë një kredi në euro përfitojnë gjithashtu.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat