Shqipëria Postuar më 11 Prill 2026, 13:09

Koçiu në Shkodër: Investimet në arsim dhe rritja e pagave po transformojnë shkollat në të gjithë vendin

Nga Edel Strazimiri

Koçiu në Shkodër: Investimet në arsim dhe rritja e pagave

Transformimi i sistemit arsimor në Shqipëri po vijon me ritme të shpejta, falë investimeve të qëndrueshme dhe reformave të ndërmarra në këtë sektor. Kjo u theksua gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar në shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër, ku e pranishme ishte Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, së bashku me Ministren e Arsimit Mirela Kumbaro dhe kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci.

Gjatë takimit me stafin pedagogjik, Koçiu vlerësoi punën dhe përkushtimin e mësuesve, ndërsa nënvizoi se përmirësimi i kushteve në shkolla dhe krijimi i standardeve bashkëkohore europiane mbetet prioritet i qeverisë. Ajo theksoi se investimet në infrastrukturë, si dhe programet inovative si “Art dhe Zeje”, po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimin e aftësive praktike të nxënësve.

Një ndër pikat kyçe të diskutimit ishte edhe sistemi meritokratik i përzgjedhjes së mësuesve përmes platformës “Mësues për Shqipërinë”, që sipas Koçiut garanton transparencë dhe barazi mundësish për të gjithë profesionistët e arsimit.

Zëvendëskryeministrja ndaloi gjithashtu tek rritja e pagave në arsim, duke e cilësuar si një nga reformat më të rëndësishme, ku paga mesatare e mësuesve ka arritur në 950 euro, ndërsa është forcuar edhe sistemi i vlerësimit të përvojës në punë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe sigurisë në shkolla. Koçiu bëri të ditur se nga muaji qershor do të nisë zbatimi i projektit “Smart City”, i cili parashikon pajisjen e shkollave me kamera inteligjente për rritjen e monitorimit dhe sigurisë. Paralelisht, do të zgjerohet edhe programi i oficerëve të sigurisë, me synimin për të arritur në rreth 400 të tillë në të gjithë vendin.

Sipas saj, këto masa do të krijojnë një mjedis më të sigurt dhe më të qetë për nxënësit, prindërit dhe mësuesit, duke ndikuar pozitivisht në cilësinë e procesit arsimor.

Qeveria shqiptare, theksoi Koçiu, do të vijojë të mbështesë arsimin përmes politikave që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe investime afatgjata në këtë sektor kyç.

Koçiu në Shkodër: Investimet në arsim dhe rritja e pagave

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat