Shqipëria Postuar më 7 Janar 2026, 12:56

Kërkesë e lartë për punonjës të pakualifikuar - Mbi 270 vende pune në javën e parë të 2026-ës. Cilët dominojnë?

Nga Diamila Leka

Kërkesë e lartë për punonjës të pakualifikuar -

Viti 2026 ka nisur me një kërkesë të lartë për punonjës në Shqipëri. Referuar të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, vetëm në javën e parë të këtij viti janë shpallur 272 mundësi punësimi nga punëdhënës të ndryshëm.

Sa i përket nivelit të arsimimit, pjesa dërrmuese e vendeve të punës janë të orientuara drejt punonjësve me arsim të mesëm. Mbi 230 prej tyre kërkojnë këtë nivel kualifikimi, ndërsa ofertat për punonjës me arsim të lartë mbeten të pakta.

Por çfarë kërkohet konkretisht më shumë në tregun e punës?

Mbi 50 oferta pune adresohen për punëtorë të thjeshtë, pa kërkesë për arsim të lartë apo kualifikim specifik. Kryesisht, punëdhënësit kërkojnë punëtorë ndërtimi, punëtorë hekuri, furrtarë buke, punonjës për ngarkim-shkarkim, punëtorë duro-alumini, magazinierë, si edhe profile të ngjashme.

Ndërkohë, nuk mungojnë as kërkesat në sektorin e shërbimeve, ku kërkohen kamarierë, banakierë dhe menaxherë për bare e restorante.

Në anën tjetër të spektrit, më së paku kërkohen punonjës të kualifikuar me diplomë bachelor apo master. Në ato pak vende pune të shpallura për këtë kategori, kërkohen kryesisht ekonomistë, financierë dhe inxhinierë.

Sipas të dhënave dhe analizave, një tjetër karakteristikë e tregut të punës në Shqipëri mbetet mungesa e ofertave për punë me kohë të pjesshme. Kultura e punëdhënësve shqiptarë vazhdon të jetë e orientuar drejt kontratave me kohë të plotë, ndërsa ofertat fleksibël mbeten ende të kufizuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat