Shqipëria Postuar më 7 Tetor 2025, 09:47

“Kërkesa e huaj rriti ekonominë shqiptare” - Raporti i BB: Zbatimi më i shpejtë i reformave do të shtojë të ardhurat për frymë

Nga Dorian Koça

“Kërkesa e huaj rriti ekonominë shqiptare” - Raporti i BB:

“Pavarësisht një ngadalësimi të rritjes së turizmit, sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit ishin nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike në anën e ofertës, duke kompensuar rëniet në sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë të industrisë”, verën Banka Botërore referuar ekonomisë së Shqipërisë.

Në Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, nënvizohet fakti se ekonomia e Shqipërisë shënoi një rritje të moderuar prej 3,4% në terma vjetorë në tremujorin e parë të vitit 2025, duke pasqyruar forcimin e kërkesës së huaj dhe një ngadalësim të lehtë të kërkesës së brendshme.

Inflacioni qëndroi nën nivelin 3 për qind, varfëria ra si rezultat i forcimit të tregjeve të punës dhe borxhi publik vijoi tendencën rënëse. Sipas Bankës Botërore, megjithëse rreziqet e jashtme mbeten të pranishme, progresi në procesin e anëtarësimit në BE ka gjasa të mbështesë besimin e investitorëve, vazhdimësinë e politikave dhe rritjen afatgjatë.

Sa i përket tregut të punës, institucioni financiar ndërkombëtar vëren se kushtet u përmirësuan, papunësia u ul dhe punësimi u rrit. Rritja e punësimit në sektorin e shërbimeve kompensoi humbjet e vendeve të punës në bujqësi në tremujorin e parë të vitit 2025, duke e ulur shkallën e papunësisë në 8,7% dhe duke e rritur shkallën e punësimit (mosha 15-64 vjeç) në 69,5% si për burrat, ashtu edhe për gratë. Pavarësisht presioneve inflacioniste nga rritja e pagave, inflacioni mesatar gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025 mbeti i ulët në 2,2%, i mbështetur nga forcimi i lekut dhe ngadalësimi i inflacionit në Eurozonë.

Në gjysmën e parë të vitit 2025, politika fiskale mbështeti kërkesën përmes një lehtësimi të moderuar, me suficitin e përgjithshëm fiskal që u ngushtua në 2,7 përqind të PBB-së nga 4,3 përqind një vit më parë.

Në projeksionet e saj për Shqipërinë, Banka Botërore thekson se rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të ngadalësohet në 3,7% në vitin 2025 dhe 3,5% në periudhë afatmesme, për shkak të pasigurive në tregtinë globale dhe ndryshimeve në perspektivën ndërkombëtare. “Megjithatë, një zbatim më i shpejtë i reformave të mbështetura nga BE-ja mund të përshpejtojë ritmin e rritjes së të ardhurave për frymë deri në 3.1% mbi skenarin bazë si edhe konvergjencën me standardet e jetesës së BE-së”, përfundon Banka Botërore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat