Shqipëria Postuar më 5 Qershor 2025, 13:40

Kartoni Jeshil, sa ndikoi ulja e çmimeve në prime? - AMF: Në janar-prill, të ardhurat nga kjo policë sigurimi u rritën me 17%

Nga Ledina Elezi

Kartoni Jeshil, sa ndikoi ulja e çmimeve në prime? - AMF: Në

Pavarësisht se kemi pasur një ulje të çmimit të Kartonit Jeshil për makinat që udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, ky ndryshim nuk është reflektuar akoma në primet e arkëtuara prej kompanive të sigurimit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në katër muajt e parë të vitit kemi pasur një rritje me 17% të primeve nga Kartoni Jeshil dhe me 6% të atyre nga sigurimi kufitar.

Prej 1 shkurtit të këtij viti, të gjithë makinat që udhëtojnë drejt Malit të Zi, përfituan zbritje të çmimit të sigurimit për “Karton Jeshil”. Nga 400€ që ishte primi për 1 vit, tani ata paguajnë vetëm 50€. Ndërkohë, nga 1 prilli, qytetarët shqiptarë fituan edhe mundësinë që të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me afat 1-vjeçar, me çmim të reduktuar 50 Euro.

Deri më tani, ky reduktim i çmimit nuk ka sjellë ulje të ardhurash për kompanitë e sigurimit. Kjo mund të ketë ardhur për disa arsye, duke nisur që nga numri më i madh makinave që kanë lëvizur drejt Malit të Zi në këtë periudhë dhe si rrjedhojë janë siguruar më shumë, pasi edhe çmimi ka qenë më i ulët, kjo mund të ketë ardhur për shkak se qytetarët kanë zgjedhur edhe Karton Jeshil me një afat tjetër kohor, pra jo për 1 vit, por po ashtu edhe për shkak të lëvizjeve të shtuara të qytetarëve me makinë drejt vendeve të tjera të Evropës, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Pra, në këtë rritje mund të ketë kontribuar arkëtimi i më shumë të ardhurave nga sigurimi me Karton Jeshil në shtete të tjera dhe jo domosdo nga ai me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, kjo mbetet për t'u parë nga zbatimi i këtyre çmimeve për një periudhë më të gjatë.

Nëse bëjmë një krahasim që prej vitit 2022, sigurimi kufitar për automjetet me targa të huaja që qarkullojnë brenda territorit të Shqipërisë ka përjetuar rritje çdo vit, me përjashtim të 2024. Viti 2024 regjistroi një rënie me 9% llogaritur me vitin 2023, ndërsa ai me Karton Jeshil u rrit me 3%.

Nga ana tjetër, dëmet e paguara në janar-prill kanë pësuar një rënie  me 50% për Kartonin Jeshil, ndërsa rezultojnë me 41% rritje për sigurimin kufitar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat