Shqipëria Postuar më 22 Shkurt 2025, 09:37

Kartë debiti apo krediti, çfarë preferojnë shqiptarët?-BSH: Gjatë vitit të kaluar, totali i tyre u shtua me 5.4%

Nga Ledina Elezi

Kartë debiti apo krediti, çfarë preferojnë

Gjatë vitit të kaluar ka pasur një shtim të vrullshëm të kartave bankare, sidomos atyre të debitit, ndërkohë që kartat e kreditit mbeten të preferuara më pak.

Sipas të dhënave nga Banka Qendrore, në Shqipëri qarkullojnë gjithsej 1.5 milionë karta bankare me më shumë se një funksion, rreth 95% e të cilave rezultojnë me funksion pagese. Nga kartat që shërbejnë për kryerjen e pagesave, 1.3 milionë ose 92% e tyre janë karta debiti, ndërsa 113 mijë ose 8% janë karta krediti.

Në krahasim me 2023, totali i kartave bankare në qarkullim është shtuar me 5.4%. Ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë kartat me funksion debiti, të cilat janë më të preferuarat, ndërkohë që numri i kartave të kreditit ka rënë me 5.3%. Gjatë vitit që lamë pas numëroheshin 6 mijë karta krediti më pak se në 2023.

Për sa i përket llojit të kartës, VISA dhe Mastercard janë të vetmet që përdoren në vendin tonë, ndërkohë që kartat lokale dhe American Express nuk emetohen më që prej 2022-it.

Kështu, tregu i kartave bankare në Shqipëri dominohet nga ndërkombëtaret VISA dhe MasterCard, të cilat kanë bërë një ndarje thuajse të barabartë të përqindjes së kartave që zotërojnë në treg. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gati 52% e kartave në Shqipëri janë VISA, ndërkohë që 48% janë MasterCard.

Një numër më i lartë i kartave bankare është tregues i rritjes së përfshirjes financiare, por gjithashtu një tregues i orientimit të qytetarëve për nga pagesat elektronike dhe reduktimit të parasë cash në ekonomi, i cili është dhe një ndër objektivat që Banka e Shqipërisë synon të arrijë.

Kartat e debitit janë ato me të cilat mund të bëhen pagesa, të tërhiqen dhe depozitohen para nga ATM-të. Ndërsa në rastin e kartës së kreditit, një individ përdor paratë e bankës për të kryer pagesa, pra është një kredidhënie dhe limiti i kartës së kreditit përcaktohet në një marrëveshje të firmosur midis bankës dhe klientit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat