Shqipëria Postuar më 28 Mars 2025, 09:58

Karta e identitetit, tashmë brenda 3 ditësh - Nga 14 ditë që ishte më parë. Tarifa 3 mijë lekë. IdentiTek lançon shërbimin e ri

Nga Dorian Koça

Karta e identitetit, tashmë brenda 3 ditësh - Nga 14 ditë që

Koha e pajisjes me kartë ID tashmë zbret nga 14 ditë, në vetëm 3 ditë. Risia është lançuar nga IdentiTek, kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike, duke sjellë një shërbim të ri për qytetarët shqiptarë.

Falë këtij shërbimi, përmes një pagese prej 3 mijë lekësh, çdo qytetar mund të pajiset me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh.

Shërbimi është krijuar për të lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e aplikimit, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë urgjente për dokumentin e tyre të identifikimit. Procedura e përshpejtuar është veçanërisht e dobishme për emigrantët, të cilët qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri, si edhe për të gjithë ata që kanë nevojë të marrin shpejt kartën e tyre të identitetit, qoftë për arsye personale, profesionale apo administrative.

Aplikimi kryhet në çdo zyrë IdentiTek në të gjithë Shqipërinë, ndërsa procedura është e thjeshtë me katër hapa. Blini kuponin me procedurë të përshpejtuar, merrni me vete dokumentin e vjetër ose vetëdeklarimin e humbjes apo vjedhjes nga e-Albania, bëni aplikimin në një nga zyrat e IdentiTek dhe në fund tërhiqni kartën e re po aty ku keni bërë aplikimin.

Ky shërbim është i aksesueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë, duke përfshirë ata që pajisen për herë të parë me letërnjoftim elektronik, ata që rinovojnë dokumentin e skaduar dhe ata që kërkojnë zëvendësim për shkak të skadimit, dëmtimit apo humbjes.

Historia e prodhimit të dokumenteve biometrike në Shqipëri daton në maj 2009. Kompania koncesionare ushtroi aktivitetin deri në mesin e vitit 2023, kur përfundoi kontrata dhe qeveria vendosi të krijonte kompaninë shtetërore. Pas gushtit 2023, stafetën e mori “IdentiTek”, shoqëri me kapital shtetëror.

Kompania prodhon karta identiteti e pasaporta biometrike për shtetas shqiptarë, por njëherësh edhe pasaporta diplomatike e shërbimi. Ajo prodhon gjithashtu dokumente udhëtimi, leje qëndrimi dhe letërnjoftim elektronik enkas për shtetasit e huaj me qëndrim të përhershëm ose të përkohshëm, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ose që kanë fituar statusin e refugjatit e kanë përfituar azil në Shqipëri.



Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat