Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2026, 11:09

Karakaçi: Shqipëria synon shoqërinë Gigabit me investime në rrjete moderne dhe mbulim 5G

Nga Edel Strazimiri

Karakaçi: Shqipëria synon shoqërinë Gigabit me investime

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se Shqipëria po harmonizon zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me standardet e Bashkimit Europian, me synimin për të ndërtuar një shoqëri Gigabit deri në vitin 2030.

Gjatë prezantimit të nismës për zhvillimin e infrastrukturës nëntokësore në zonat urbane, Karakaçi tha se objektivi është shtrirja e rrjeteve moderne me fibër optike deri te përdoruesi fundor dhe zgjerimi i mbulimit me teknologjinë 5G në të gjithë territorin.

Sipas ministrit, qeveria ka plotësuar kuadrin ligjor për zhvillimin e rrjeteve me kapacitete të larta, duke përafruar legjislacionin shqiptar me Kodin Europian të Komunikimeve Elektronike. Ai përmendi gjithashtu projektligjin e ri për infrastrukturën Gigabit, i cili ndodhet në pritje të miratimit nga Komisioni Europian.

Karakaçi bëri të ditur se përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), Shqipëria ka siguruar një projekt me vlerë 110 milionë euro, nga të cilat rreth 35 milionë euro janë grant i Bashkimit Europian. Investimi synon shtrirjen e rrjeteve broadband në zonat e pambuluara, të njohura si "zona të bardha", për të garantuar akses në internet me shpejtësi të lartë dhe shërbime digjitale në të gjithë vendin.

Ministri shtoi se Bashkimi Europian po mbështet edhe rritjen e kapaciteteve të bashkive për zhvillimin e rrjeteve broadband, ndërsa theksoi se realizimi i vizionit për një shoqëri Gigabit kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve qendrore, pushtetit vendor dhe operatorëve, si dhe investime të vazhdueshme në infrastrukturën dixhitale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat