Shqipëria Postuar më 19 Dhjetor 2024, 12:09

Kalojnë në llogaritë e profesionistëve të lirë 5.8 mln euro - Kthehen këstet e parapaguara të tatim-fitimit. Përfitojnë 7157 subjekte

Nga Elisabeta Dosku

Kalojnë në llogaritë e profesionistëve të lirë 5.8

Administrata tatimore ka finalizuar procesin e kthimit të pagesave të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin e Thjeshtuar, apo Tatimin mbi Fitimin për 7157 profesionistë të lirë të cilët kishin paguar këstet si rrjedhim i ligjit për tatimin mbi të ardhurat. 

Vlera totale e rimbursuar është rreth 576 milionë lekë apo 5.8 milionë euro, të cilat kanë kaluar në llogaritë bankare të subjekteve që ofrojnë shërbime profesionale.

Profesionistët e lirë kishin afat final deri më datën 18 dhjetor për të deklaruar të dhënat e llogarive bankare, në mënyrë që të merrnin pas këstet e parapaguara.

Në fund të Nëntorit, Këshilli i Ministrave miratoi aktin normativ për kthimin e kësteve të tatim fitimit të parapaguar nga profesionistët e lirë.  Po ashtu u vendos fshirja e kamatëvonesave të krijuara nga pagesa e vonuara e detyrimeve.

Ligji për tatimin mbi të ardhurat i cili hyri në fuqi më 1 Janar 2024, tatonte afro 29 mijë profesionistë të lirë me një normë nga 15-23 %. Profesionistët nuk ishin dakord me këtë regjim tatimor dhe e çuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Pas disa seancash, Gjykata Kushtetuese vendosi  të shfuqizojë nenin që tatonte këtë shtresë, duke e cilësuar si diskriminues.  Por gjatë kësaj periudhe një pjesë e mirë prej tyre kishin shlyer detyrimet përkatëse.

Në vijim, qeveria në kuadër edhe të strategjisë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, do të bëjë një vlerësim të të gjitha përjashtimeve dhe reduktimeve të normave tatimore që janë në fuqi, nëse duhet të qëndrojnë, apo do duhet të rishikohen, ku përfshihet rishikimi i taksimit edhe për këtë kategori.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat