Shqipëria Postuar më 16 Mars 2026, 18:43

Kalimi i kuotave të aksioneve, 2,500 transaksione shitje e dhurimi, Tatimet: Deklaroni vlerën e saktë

Nga SCAN TV

Kalimi i kuotave të aksioneve, 2,500 transaksione shitje e dhurimi,

Administrata Tatimore ka identifikuar rreth 2,500 transaksione të shitjes dhe dhurimit të kuotave apo aksioneve gjatë vitit 2025, duke rritur vëmendjen ndaj mënyrës se si këto transaksione deklarohen nga individët dhe subjektet në deklaratat tatimore.

 Sipas autoriteteve fiskale, në shumë raste ekziston rreziku që vlera e deklaruar e transaksionit të mos pasqyrojë vlerën reale të tregut, çka mund të sjellë pasoja fiskale për tatimpaguesit.

Në këtë kuadër, Administrata Tatimore rikujton se çdo shitje apo dhurim i kuotave/aksioneve duhet të deklarohet saktë në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA) për vitin 2025, duke reflektuar vlerën reale të tregut të transaksionit. Deklarimi i saktë i këtyre të ardhurave është i rëndësishëm jo vetëm për respektimin e legjislacionit tatimor, por edhe për të shmangur procedurat e rivlerësimit nga administrata.

Autoritetet theksojnë se transaksionet me vlera të nënvlerësuara apo të deklaruara në mënyrë jo reale mund të jenë objekt i verifikimeve të mëtejshme. Për këtë arsye, gjatë vitit 2026 këto raste do të analizohen dhe investigohen nga strukturat e specializuara, përfshirë Drejtorinë e Hetimit dhe Drejtorinë e Kontrollit të Specializuar pranë Administratës Tatimore.

Nënvlerësimi i qëllimshëm i çmimit në transaksionet e aksioneve apo kuotave përdoret shpesh për të ulur barrën tatimore ose për të shmangur detyrimet fiskale, por në rast identifikimi nga autoritetet tatimore, mund të sjellë penalitete, rivlerësim të transaksionit dhe detyrime shtesë tatimore. Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve që të deklarojnë në mënyrë transparente dhe të plotë çdo të ardhur që rrjedh nga transferimi i kuotave apo aksioneve, duke përdorur dokumentacionin e duhur për të provuar vlerën reale të tregut të transaksionit.

 Deklarimi i saktë dhe në kohë i këtyre të ardhurave ndihmon në shmangien e penaliteteve dhe procedurave të kontrollit fiskal në të ardhmen.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat