Shqipëria Postuar më 9 Tetor 2025, 09:31

“Jo vetëm fuqi ushtarake, por edhe digjitale” - Konferenca e NATO-s në Tiranë, Rutte: Do të krijojmë Qendrën e Integruar Kibernetike në Belgjikë

Nga Ledina Elezi

“Jo vetëm fuqi ushtarake, por edhe digjitale” - Konferenca e

Në 9 dhe 10 tetor, Shqipëria është vendi mikpritës i Konferencës së 3-të të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, ku liderë, ekspertë dhe përfaqësues të lartë nga vendet anëtare dhe partnere të Aleancës, do të shkëmbejnë njohuri, forcojnë bashkëpunimin dhe ndërtojnë strategji që synojnë mbrojtjen kolektive përballë kërcënimeve gjithnjë në ndryshim në hapësirën kibernetike.

Gjatë fjalës hapëse, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa u shpreh se siguria kibernetike është kthyer në një ndër sfidat më përcaktuese të epokës moderne.

“Siguria kibernetike është bërë një nga sfidat përcaktuese të kohës sonë. Ajo nuk është thjesht një çështje teknike, por një gur themeli i sovranitetit kombëtar, përgjegjësisë së përbashkët dhe stabilitetit demokratik. Në vitet e fundit është bërë gjithnjë e më e qartë se mbrojtja kibernetike nuk është më një shtesë e sigurisë kombëtare, por themeli i saj.”

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm sigurinë e saj kibernetike, por duhet të nxitet edhe më tepër bashkëpunimi me sektorin privat.

“U bëmë nga të parat vende që nuk kishin sportele për të ofruar shërbimet dhe i sollëm 95% të këtyre shërbimeve në xhepat e qytetarëve. Sot përballemi mesatarisht me një sulm kibernetik në çdo tre minuta, por ja dalim t’i zmbrapsim tërësisht. Kur behet fjalë për sulme që lënë gjurmë, kemi pasur 48 të tilla gjatë gjithë vitit të fundit. 48 edhe një herë kanë lënë gjurmë por nuk kanë bërë asnjë dëm të konsiderueshëm. Kështu që, kur vjen fjala për infrastrukturën tonë shtetërore qoftë kjo digjitale ose fizike e përsëris me krenari jemi mes më të mirëve. Kjo sepse ma ha mendja kemi qenë mes të parëve fare që kombinuan mbrojtje kibernetike me inteligjencën artificiale”.

Në një video mesazh për Tiranën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s  Mark Rutte, u shpreh se në Belgjikë po krijohet një Qendër e Integruar e Kibernetikës për të përmirësuar koordinimin në rast sulmesh kibernetike.

“NATO vazhdon të bëhet edhe më e fortë në botën digjitale, ne kemi krijuar operacione për të përforcuar hapësirën kibernetike. Në Belgjikë po krijojmë një Qendër të Integruar të Kibernetikës dhe natyrisht kjo do të informojë të gjithë komandat e NATO për kërcënimet dhe rreziqet në hapësirën kibernetike. Aleatët e NATO-s po rrisin shpenzimet e tyre për sigurinë kibernetike, 5% për mbrojtjen u ra dakord vjet. NATO ofron një rrjet unik përmes të cilit aleatët mund të bashkëpunojnë. Ky është forum i jashtëzakonshëm për të ndarë njohuritë dhe praktikat. Në NATO, askush nuk qëndron i vetëm, ne qëndrojmë të bashkuar në këtë epokë digjitale përballë atyre që duan të na dëmtojnë”, tha Rutte.

Nga ana tjetër, sipas Jean Charles Ellermann-Kingombe, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Inovacionin dhe Kibernetikën, vendet e Aleancës duhet të rrisin fondet për mbrojtjen kibernetike.

“Kur flasim për teknologji dhe rezistencë, në konfliktin modern nuk flasim vetëm për fuqi ushtarake, por edhe digjitale, vetëm kështu mund të fuqizohemi e të konkurojmë. Ne duhet të mendojmë se çfarë na duhet për të fituar në luftë. Hapi i parë është fillimisht investimi në formë urgjente në mbrojtje kibernetike, më shumë fonde për të mbrojtur infrastrukurën tonë kritike. Së dyti, duhet të mbështesim mbrojtësit tonë kombëtare. Ne duhet të bashëpunojmë më shumë me industrinë”.

Ai tha se disa nga sfidat me të cilat përballet Aleanca sot janë akreditimi dhe prokurimet e gjata.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat