Shqipëria Postuar më 1 Korrik 2025, 12:24

“Jo më pensione të djegura për emigrantët” - Hyn në fuqi marrëveshja me Italinë, bashkohen vitet e punës

Nga Hamit Yzeiraj

“Jo më pensione të djegura për emigrantët” - Hyn

Emigrantët shqiptarë që kanë punuar në Itali, por edhe italianët që kanë kontribuar në Shqipëri, tani mund të bashkojnë vitet e sigurimeve shoqërore. Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kontributeve ka hyrë zyrtarisht në fuqi, duke sjellë një lehtësim të madh për mijëra qytetarë.

Edhe pse kjo marrëveshje duhej të ishte realizuar më herët, ajo vjen si një hap domethënës në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Nga tani e tutje, asnjë vit pune nuk do të shkojë i humbur, siç ndodhte më parë kur kontributet digjeshin në mungesë të një marrëveshjeje dypalëshe.

“Ky është një moment i rëndësishëm për të dy vendet, sepse garanton mbrojtjen e punëtorëve. Kjo është një marrëveshje administrative që krijon një siguri që më parë mungonte. Komuniteti italian ka qenë gjithmonë mbështetës i sektorit social dhe ekonomik në vendin tonë. Marrëveshja është shumë pozitive, sepse parashikon një mbulim të plotë të kontributeve. Më në fund, edhe ata që kanë punuar në Shqipëri dhe Itali do të kenë të drejtën të përfitojnë pension, një e drejtë themelore për secilin prej nesh.”

Sipas të dhënave nga Senati Italian, vetëm për vitin 2025, kostot e parashikuara për pensionet e shqiptarëve do të jenë 51.6 milionë euro. Deri në vitin 2032, kjo shifër pritet të arrijë në rreth 270 milionë euro.

“Shumë shqiptarë ndodheshin në situata të vështira. Merrnin një çek të pjesshëm ose përfitonin nga skema të kufizuara për riatdhesim, që i detyronin të ktheheshin në vendin e origjinës. Kjo i penalizonte qytetarët që kishin vite të tëra në Itali. Tashmë, që nga 1 janari 1997, shqiptarët do të trajtohen në bazë të parimit të barazisë, pa asnjë lloj diskriminimi – njësoj si çdo shtetas tjetër, si në të drejta ashtu edhe në detyrime.”

Për të përfituar pension në Itali kërkohen të paktën 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri mjaftojnë 15. Por falë kësaj marrëveshjeje, ata që nuk e plotësojnë kushtin në një vend, mund të kombinojnë vitet nga të dy shtetet dhe të përfitojnë gjithsesi pension.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat