Shqipëria Postuar më 11 Prill 2025, 15:09

“Jeta dhe Vdekja” / “GOCAT” sjell përjetimet personale të Faton Kryeziut për Luftën e Kosovës!

Nga SCAN TV

“Jeta dhe Vdekja” / “GOCAT” sjell përjetimet

Galeria më e madhe e artit bashkëkohor në Tiranë, “GOCAT”, krijuar nga Fondacioni Mane, ka hapur dyert për ekspozitën më të re, “Jeta dhe Vdekja”, nga Faton Kryeziu. Një ekspozitë e parë personale e artistit nga Kosova në Shqipëri, që do të qëndrojë e hapur deri më 25 maj.

Vetë titulli flet shumë për këtë ekspozitë; trajton dualizimin e jetës dhe të vdekjes, peshën që këto dy nocione kanë tek vetë njeriu, por mbi të gjitha të vërtetën e pakundërshtueshme, se fillesa dhe fundi i rrugëtimit të tij qëndron mbi çdo mister tjetër.

Fatoni ndalet në jetë-vdekje duke sjellë përjetimet e tij personale gjatë dhe pas Luftës së Kosovës – si një individ dhe artist që ka parë “fusha, shtëpi që digjen dhe bimë që mbijnë pikërisht mbi tokë të shkrumbuar”. Për të, Lufta e Kosovës lidhet pashmangshmërisht me vdekjen, ashtu sic lidhet me jetën pavarësia e fituar e Kosovës më 17 shkurt të 2008-s.

“Jeta dhe Vdekja” / “GOCAT” sjell përjetimet

Në ceremoninë e hapjes, artisti Faton Kryeziu ndau të gjithë procesin e tij krijues, ndërsa e cilësoi si një proces të shtrirë në kohë, me vëzhgimin kureshtar të njeriut dhe artistit.

“Jam me të vërtetë një vrojtues i mirë dhe them se edhe kam patur se ç’të shoh në vendin tim, në Kosovë. Gjithçka që kam vrojtuar, që fëmijë dhe deri në momentin kur Kosova është shpallur e pavarur, është hedhur në telajo me objektivitet dhe sinqeritet”, - u shpreh Fatoni.

Suzana Varvarica Kuka, kuratorja e ekspozitës “Jeta dhe Vdekja”, e cilësoi Galerinë “GOCAT” si hapësirën më ideale për promovimin e ekspozitës së Kryeziut dhe jo vetëm.

“ “GOCAT” është një nga galeritë më të bukura që ka Tirana dhe jo në konceptin fillestar të saj… Është një nga galeri i përçon ndjesi emocionale jo vetëm artistit, por edhe kuratorit, jo vetëm kritikës, por edhe publikut”, - tha Suzana Varvarica ndërsa nuk ngurroi ta krahasonte galerinë me galeritë e botës.

“Jeta dhe Vdekja” / “GOCAT” sjell përjetimet

Të gjjitha pikturat e ekspozuara në ambientet e galerisë, të cilat janë 25 në total, vijnë si rezultat i harmonisë së arrirë mes mendimit të thellë, ngjyrës dhe përmbajtjes figurative.

“Jeta dhe Vdekja” / “GOCAT” sjell përjetimet

Ndërsa së bashku lëshojnë ftesën për të përjetuar doza ekspresive arti, mes tyre pikaset autoportreti i Kryeziut dhe portreti i shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare.

Këto punime përbëjnë qëllimshëm diptikun e fundit të ekspozitës “Jeta dhe Vdekja”. Ndërsa përçohet më së miri karakteri i personaliteteve të përzgjedhura, komunikohet bindja e artistit, se puna dhe vepra e lënë pas nuk e njohin kurrë vdekjen.

“Jeta dhe Vdekja” / “GOCAT” sjell përjetimet

“GOCAT” vjen si një hapësirë ku artdashësve nuk u duhet të paguajnë biletë dhe ku artistëve u kërkohet vetëm pasioni dhe origjinaliteti i tyre krijues.

Ekspozita e Faton Kryeziut në Galerinë “GOCAT”  pason 20 ekspozita të mëparshme personale të artistit, të hapura në vende si Prizreni, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Prishtinë, në Galerinë “Brucke”, Gjermani, dhe Galerinë “Dalek”, Belgjikë.

Mbi 400 vepra të tij janë pjesë e koleksioneve private në vende të ndryshme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Bahrein, Korenë e Jugut, Gjermani, Zvicër dhe Maqedoninë e Veriut.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat