Shqipëria Postuar më 27 Maj 2025, 10:20

Janar-Prill 2025, rriten regjistrimet e mjeteve - Dominon importi nga Koreja e Jugut

Nga Ernilda Luzi

Janar-Prill 2025, rriten regjistrimet e mjeteve - Dominon importi nga Koreja e

Gjatë periudhës Janar-Prill 2025, vihet re një rritje e regjistrimeve të mjeteve në vend. Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, rezulton se janë regjistruar gjithsej 29.250 mjete, një shifër që përfaqëson një rritje prej 104% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Nga këto regjistrime, autoveturat përbëjnë pjesën dërrmuese me një përqindje prej 81.6% të totalit, duke reflektuar kështu një tendencë të qëndrueshme drejt zgjedhjes së këtij lloji mjeti nga qytetarët.

Në lidhje me origjinën e mjeteve të importuara, lista kryesuese mbetet e dominuar nga Republika e Koresë së Jugut, e cila zë 29.3% të totalit të mjeteve të regjistruara, ndjekur nga Gjermania me 16.5%, Italia me 15.2%, Zvicra me 8%, Kina me 7% dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6.8%.

Përsa i përket, procesit të rinovimit të flotës së mjeteve në qarkullim përgjatë katërmujorit të parë të vitit 2025 janë regjistruar 4.726 mjete të gjeneratës së fundit 0- 3 vite, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej 62% krahasuar me të njëjtën periudhë për vitin 2023. Kjo tregon një një vetëdijësim në rritje të qytetarëve për të zgjedhur mjete më të reja, më të sigurta dhe më pak ndotëse.

Ndërkohë, në të njëjtën periudhë janë evidentuar gjithashtu 2.541 çregjistrime të përhershme të mjeteve, një shifër që përfaqëson një rritje prej 12% në raport me katërmujorin e parë të vitit 2024, dhe që tregon se procesi i pastrimit të mjeteve të vjetëruara po ecën paralelisht me përpjekjet për modernizim.

Në këtë kuadër, DPSHTRR vijon t’u bëjë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve, që të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri të lartë në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe të kryejnë në mënyrë të rregullt dhe në kohë të gjitha kontrollet teknike periodike të automjeteve të tyre.

Nga ana tjetër, DPSHTRR rikujton domosdoshmërinë e kryerjes së verifikimit të kategorisë mjedisore për çdo mjet që synohet të importohet në territorin shqiptar, si një masë e rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit dhe garantimin e standardeve evropiane të ndotjes.

Mendimi juaj

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat