Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2026, 10:22

Janar-Maj, mbi 193 mijë pasagjerë në Portin e Durrësit - APD: Të gjitha strukturat që operojnë në port, në gatishmëri për sezonin veror

Nga Ernilda Luzi

Janar-Maj, mbi 193 mijë pasagjerë në Portin e Durrësit -

Autoriteti Portual i Durrësit bën të ditur se gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2026, në Terminalin e Trageteve janë përpunuar gjithsej 193.428 pasagjerë, duke shënuar një rritje prej 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të APD- së, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 81.574 hyrje në vend, ndërsa numri i daljeve ka arritur në 111.854 pasagjerë. Fluksi i lëvizjeve nëpërmjet Portit të Durrësit vijon të mbetet i lartë, duke konfirmuar rolin e tij si porta kryesore detare e vendit për transportin e udhëtarëve.

Me nisjen e sezonit veror, Autoriteti Portual i Durrësit njofton se të gjitha strukturat operacionale janë në gatishmëri të plotë për të përballuar rritjen e pritshme të numrit të udhëtarëve. Gjithashtu APD thekson se, po punohet në koordinim të ngushtë me të gjitha agjencitë dhe shërbimet që operojnë në port, me qëllim garantimin e një procesi të sigurt, të shpejtë dhe efikas për pasagjerët.

Shifrat konfirmojnë vijimësinë e lëvizjeve intensive të udhëtarëve në këtë nyje të rëndësishme transporti, e cila mbetet një nga pikat kryesore të lidhjes së Shqipërisë me vendet e rajonit dhe më gjerë.

Pritet që gjatë muajve të verës numri i pasagjerëve të njohë një rritje të mëtejshme, duke e kthyer Portin e Durrësit në një nga pikat me aktivitetin më të lartë të lëvizjes së udhëtarëve në vend.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat