Shqipëria Postuar më 9 Shtator 2026, 10:05

Ish-qiramarrësit kredi pa interes - Ministrja Ibrahimaj: Aplikimi kryhet në e-Albania

Nga Ernilda Luzi

Ish-qiramarrësit kredi pa interes - Ministrja Ibrahimaj: Aplikimi kryhet

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bën të ditur se ish-qiramarrësit në ish-pronë private do të kenë mundësi të përfitojnë kredi me 0% interes, si instrumente mbështetëse për strehimin e familjeve përfituese.

Ndërkohë, Enti Kombëtar i Banesave ka informuar qytetarët për dokumentacionin që duhet të paraqitet për aplikim. Sipas përcaktimeve të VKM-së nr. 456, datë 31 korrik 2025, subvencionimi i interesave të kredisë financohet nga Buxheti i Shtetit, duke u ofruar familjeve përfituese mundësinë për të marrë kredi me interes zero.

Aplikimi kryhet online, përmes platformës e-Albania, ndërsa aplikantët duhet të plotësojnë dokumentacionin e kërkuar. Dokumentet që duhen për aplikim janë vërtetimi për përfitimin e statusit të banorit në ish-pronë private; dokumentacioni që provon kthimin e pronës, si vendimi për kthimin e pronës, vendimi i gjykatës, dokumentet e ish-Ndërmarrjes Komunale të Banesave, certifikata ose vërtetimi i pronësisë, apo urdhri i ekzekutimit që vërteton kthimin e pronës te pronari i ligjshëm. Dokumentet duhet të jenë origjinale ose të noterizuara.

Një tjetër dokument i nevojshëm është dokumentacioni i qiramarrjes. Në këtë kategori përfshihet kontrata e qiramarrjes, autorizimi ose vendimi i ish-Komitetit Ekzekutiv, akti i dorëzimit të banesës apo çdo dokument tjetër zyrtar nga ish-Komunalja e Banesave, që vërteton lidhjen mes banesës së kthyer pronarit dhe qiramarrësit.

Aplikantët duhet të sigurojnë gjithashtu një vërtetim negativ të pronësisë. Ky dokument duhet të konfirmojë se kryefamiljari dhe anëtarët e familjes, sipas certifikatës familjare të datës 1 dhjetor 1992, nuk kanë banesë të regjistruar apo në proces regjistrimi. Pjesë e dokumentacionit është edhe vërtetimi nga organet tatimore, i cili dëshmon se asnjë prej anëtarëve të familjes përfituese nuk është subjekt i TVSH-së si biznes i madh. Në fund, aplikimi duhet të shoqërohet edhe me certifikatën aktuale të gjendjes familjare.

Enti Kombëtar i Banesave u bën thirrje qytetarëve që përpara aplikimit të sigurohen se kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Skema e kredisë me 0% interes synon të mbështesë familjet që kanë statusin e ish-qiramarrësve në ish-pronë private dhe të lehtësojë mundësinë e tyre për strehim, përmes financimit nga Buxheti i Shtetit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat