Shqipëria Postuar më 28 Janar 2025, 13:06

Ish-Kinostudio në qendër trajnimesh nga Hollywood - “Mbi 40 profesionistë”, Rama: Një program inkurajues dhe frymëzues

Nga Diamila Leka

Ish-Kinostudio në qendër trajnimesh nga Hollywood - “Mbi 40

“Tirana Training Centre”, është qendra e re për zhvillimin e kinematografisë dhe prodhimeve audovizuale në Shqipëri, e cila vjen si rezultat i bashkëpunimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë qendër do të ofrohen trajnime profesionale në fusha si aktrimi, regjia, animacioni, prodhimi dhe shkrimi, për të gjithë tërinjtë krijues.

“Ne kemi mbi 40 profesionistë nga industria, nga mbarë bota që kanë rënë dakord dhe të japin mësim në qendrën e trajnimit në Tiranë. Të tërë me dhjetra vjet përvojë pune mbi supe. Kjo do të jetë një mënyrë krijuese për këtë industri dhe shpresojmë që ajo që do të vij si rezultat i kësaj pune është një vizion më i madh, objektiv më i madh. Nuk është vetëm shkolla apo vendi ku mëson të shkruash. Është vendi ku ju ndërtoni karierën”, deklaroi Philip Gilpin, Jr., CEO i Catalyst Story Institute.

Sipas kryeministrit Edi Rama, kjo qendër është një hapësirë e konsideruar dhe se ky program është inkurajues dhe frumëzues për të gjithë të rinjtë shqiptarë.

“Është vërtetë një moment i veçantë ky sepse rikthehemi këtu në këtë hapësirë, pas një pune të mundimshme për gjithë restaurimin e saj, për të hapur një program absolutisht inkurajues edhe frymëzues, duke krijuar mundësi të reja për të gjithë të rinjtë dhe për të rejat e Shqipërisë kreative. Përpara disa vitesh  ne patëm një diskutim në Zoom me një sërë protagonistësh të kësaj hapësire, protagonistësh të rinj nga SHBA, që faktikisht përfaqësojnë në nivele të ndryshme, por deri në nivelet më të larta industrinë kreative të SHBA dhe besoj që është një motiv për t’u  mbushur edhe me më shumë besim, edhe për të pasur edhe më shumë bindjen që të gjitha këto gjëra që po ndodhin janë pjesë të një zinxhiri që tanimë është futur  në një ritëm tërësisht tjetër të vetëzhvillimit dhe unë besoj shumë tek ky program. Kështu që, ky është një fillim, do dojë kohen e vet si të gjitha gjerat që duan kohen e vet, por në fakt është një fillim që vjen pas një procesi dhe përpjekjeje shumë të gjatë, që ka filluar të na japë përditë e përditë frytet e veta. Dhe unë i jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që besuan në këtë ditë.”

Sipas ministrit të ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kjo qendër do të shërbejë si stimul i degëve të arsimit profesional.

“Përmasat e bashkëpunimit që nisim sot, na inkurajojnë se “Tirana Training Center” do të shndërrohet shumë shpejt në katalizatorin e një revolucioni epokal dhe transformimi të shumënevojshëm për industrinë kreative në Shqipëri. Së pari, stimulojmë krijimin e një dege të re të arsimit profesional, që lidhet drejtpërdrejt me fushën e filmit dhe ekranit, përfshirë të gjitha komponentët e saj. Së dyti, krijojmë një instrument të drejtpërdrejtë që do të ndërlidhë tregun me profesionistët dhe entuziastët e fushës, duke ofruar mundësi të reja bashkëpunimi, shkëmbimi dhe zhvillimi të projekteve të përbashkëta rajonale e më gjerë. Së treti, ndihmojmë në ndërtimin e një ekosistemi të fortë prodhues dhe mbështetës, ku secili që ka dëshirë dhe pasion mund të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e projekteve të qëndrueshme dhe inovative. Dhe së katërti, ky projekt ka potencialin të sjellë përfitime të mëdha ekonomike, sociale dhe kulturore, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të hartës mesdhetare të industrisë kreative dhe prodhuese. Në këtë epiqendër të re kulturore të Tiranës, do të mund të trajnohen në të njëjtën kohë 400 studentë, duke filluar nga fëmijët e deri te më të rriturit, në klasa për aktrim, regji, animacion, kinematografi, muzikë, prodhim, skenaristë, etj.”



Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat