Shqipëria Postuar më 4 Tetor 2025, 12:08

“Investitorët i besojnë më shumë lekut”/ Fondet në valutë rriten, por tregu i investimeve dominohet nga ato në monedhën vendase

Nga Ledina Elezi

“Investitorët i besojnë më shumë lekut”/ Fondet

 

Tregu i fondeve të investimit në Shqipëri vijon të zgjerohet, megjithatë të dhënat e fundit tregojnë një dinamikë të ndryshme mes fondeve që operojnë në lekë dhe atyre në valutë. Në gjysmën e parë të këtij viti, 13 fonde të hapura me ofertë publike ishin aktive, ku 7 fonde ushtronin aktivitetin në valutë të huaj, kryesisht euro, ndërsa të tjerat funksiononin në monedhën vendase, lekë.

Asetet neto të fondeve në valutë arritën në 59.2 milionë euro (5.806 miliardë lekë), duke zënë vetëm 9.22% të tregut, ndërkohë që fondet në lekë regjistruan 57.1 miliardë lekë, ose 90.78% të totalit. Ky raport tregon qartë dominimin e fondeve në monedhën vendase, edhe pse fondet në valutë mbeten një alternativë e rëndësishme për investitorët që kërkojnë të diversifikojnë kursimet dhe të mbrohen nga rreziku i inflacionit vendas.

Megjithëse vlera e aseteve të fondeve në valutë është rritur lehtë krahasuar me fundin e vitit 2024, pesha e tyre në treg ka rënë nga 9.74% në fund të vitit të kaluar në 9.22% në mes të vitit 2025. Kjo do të thotë se ritmi i rritjes së tyre ka qenë më i ulët krahasuar me fondet në lekë.

Për investitorët individualë, këto shifra nënkuptojnë se zgjedhja mes një fondi në lekë dhe një fondi në valutë nuk është vetëm çështje rendimenti, por edhe e ekspozimit ndaj kursit të këmbimit. Fondet në lekë ofrojnë më pak rrezik për ata që kanë të ardhurat dhe shpenzimet kryesisht në monedhën vendase, ndërsa fondet në euro mund të jenë të favorshme për ata që duan të diversifikojnë kursimet ose kanë të ardhura në valutë.

Prirja drejt fondeve në lekë pasqyron edhe një rritje të besimit në monedhën kombëtare, ndërkohë që fondet në valutë mbeten një alternativë për investitorët që synojnë stabilitet afatgjatë ndaj luhatjeve të monedhës vendase.

Qytetarët që nuk kanë njohuri të mjaftueshme se si mund të investojnë individualisht në bono thesari, obligacione dhe aksione ose nuk duan të përfshihen drejtpërsëdrejti në këtë proces, i drejtohen zakonisht fondeve të investimit, të cilat i investojnë paratë e klientëve të tyre në tituj shtetërorë dhe garantojnë një kthim fitimi të sigurt.

Koka e lajmit: Fondet e investimit në valutë kanë shënuar rritje në aktivitet gjatë këtij viti, por ndikimi i tyre në treg ka ardhur duke u tkurrur, ndërsa fondet në lekë po fitojnë gjithnjë e më shumë terren, duke reflektuar rritjen e besimit te monedha vendase dhe zgjedhjet më të kujdesshme të investitorëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat