Shqipëria Postuar më 28 Mars 2025, 15:40

Investitorët grekë në Shqipëri - Venetopoulos: Është një perlë e pazbuluar e Mesdheut. Industria e jahteve do të rritet

Nga Ledina Elezi

Investitorët grekë në Shqipëri - Venetopoulos:

Pavarësisht se Turqia dhe Italia janë dy shtetet me fluksin më të madh të investimeve në Shqipëri, edhe investitorët nga fqinji ynë juglindor, Greqia, po shfaqin gjithnjë e më tepër interes për Shqipërinë.

Vetëm në vitin që lamë pas, investimet greke kapën shifrën e 14 milionë eurove.  Që prej 2021, fluksi i investimeve direkte nga Greqia ka arritur në 69 milionë euro.

Në aktivitetin më të madh të vitit për biznesin, “Match Maker Albania”, në mesin e mbi 700 investitorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, ishin edhe ata grekë, të cilët e konsiderojnë vendin tonë me shumë potencial për të investuar, por edhe shumë të hapur e serioz në bërjen biznes.

Diogenis Venetopoulos, Investitor Grek në Shqipëri

Ne kemi zhvilluar ndër vite një program të zgjeruar në Shqipëri, kërkesa po rritet ndjeshëm nga viti në vit, disa vite më parë filluam me Sarandën, sot po telefonojmë çdo port në Shqipëri për të investuar, pra Sarandën, Vlorën dhe Durrësin. Me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe personalisht Z. Marios Belibasakis nga Ambasada Greke në Shqipëri, tashmë kemi hapur një kompani këtu në Tiranë, për të rritur aktivitetin e jahteve, kroçereve, por edhe turizmin tokësor në Shqipëri. Personalisht, besoj se Shqipëria është një perlë e pazbuluar e Mesdheut që do të lulëzojë në vitet e ardhshme dhe unë me të vërtetë jam duke u fokusuar gjerësisht për të investuar në atë që besoj se do të jetë vërtet një destinacion shumë i fortë udhëtimi.

Para së gjithash, është praktikisht sot i vetmi, do të thosha, vend bregdetar i Mesdheut që nuk është eksploruar vërtet. Unë jam në industrinë e udhëtimeve dhe turizmit gjatë gjithë jetës sime, punoj me njerëz që kanë udhëtuar në shumë vende të botës dhe kur u them Shqipërinë, më thonë, oh, nuk kam qenë në Shqipëri, do të më pëlqente shumë. Pra, një vend në zemër të Evropës, me bregdetet më të bukura, në vijën bregdetare të Adriatikut, me male të bukura, siç tha edhe kryeministri.

Ky vend dhe investimet mund të shkojnë vetëm përpara, dhe unë shoh një vend shumë miqësor për të bërë biznes, një vend të hapur për të bërë biznes dhe jam shumë i kënaqur me gjithçka që kam parë deri tani.

Patjetër, plani ynë është që të investojmë edhe në projekte të tjera. Unë gjithashtu kam rolin e Zëvendëspresidentit në Shoqatën Greke të Pronarëve të Jahteve, besoj se industria e jahteve mund të rritet ndjeshëm. Unë jam edhe në bordin drejtues të Shoqatës së Pronarëve të Kroçereve dhe po nxis shumë linja kroçeresh, linja të tjera lundrimi, që të investojnë në Shqipëri, pra në anën bregdetare.

Në anën tokësore, kur flasim për hotele, kur flasim për ture, kur flasim për shëtitje në mal, pra hiking, mundësitë janë vërtet shumë të mëdha. Sapo isha në Amerikë, në fakt u ktheva të shtunën, isha në një nga shfaqjet më të rëndësishme të udhëtimit dhe turizmit me ish-studentët e Harvardit, të Stanfordit, Yale, National Geographic, po flisja për Shqipërinë dhe pashë interesin që po tregonin edhe këta njerëz për të ardhur në Shqipëri”.

Sipas Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, stabiliteti makroekonomik, hyrja e lirë në tregjet e mëdha, potenciali i fortë i rritjes, vendndodhja gjeografike optimale, popullsia e re, kostoja konkurruese e punës, klima liberale dhe reformiste e investimeve, si dhe taksat dhe incentivat konkurruese, janë elementët që tërheqin më shumë investitorët e huaj.

Marios Belibasakis, Drejtues i Departamentit të Ekonomisë dhe Tregtisë në Ambasadën Greke:

“Enterprise Greece është një institucion i ngjashëm me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve. Enterprise Greece / Invest & Trade dhe AIDA kanë nënshkruar tashmë një memorandum mirëkuptimi, ndaj kemi këtu një delegacion të madh të biznesit grek dhe ky është hapi i parë për të krijuar më shumë sinergji, lidhje dhe mundësi biznesi mes dy vendeve dhe për të tërhequr më shumë investime, si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi.

Shqipëria është një treg shumë i mirë dhe ka shumë mundësi për investitorët grekë në sektorët e energjisë, ndërtimit, materialeve të ndërtimit, turizmit dhe shumë e shumë fusha të tjera. E dini, ne jemi vende fqinje, kemi shumë gjëra, agroturizmin, sektorin ushqimor, shumë fusha që mund të punojmë së bashku dhe të krijojmë mundësi për popujt e të dy vendeve.

Projektet në të ardhmen e afërt janë në turizëm, aktualisht kemi  një kompani të madhe greke që operon në Shqipëri. Kemi kompani të materialeve të ndërtimit, por edhe disa projekte energjetike.

Në jugun e Shqipërisë është një kompani e madhe greke që bashkëpunon me një kompani shqiptare për një projekt energjetik. Janë gjithashtu edhe disa kompani ushqimi që pritet të investojnë në Shqipëri”.

Marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Greqisë lidhen edhe në shkëmbime tregtare. Greqia rezulton të jetë një nga 3 partnerët kryesorë të Shqipërisë, si për sa i përket eksporteve, ashtu edhe importeve. Sipas të dhënave nga INSTAT, në muajin shkurt të këtij viti, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me shkurt 2024 janë Kosova me 63,7%, Greqia me 10,2% dhe Gjermania me 7,5%. Gjithashtu, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve që prej fillimit të vitit janë sërish Kosova me 76,8%, Gjermania me 3% dhe Greqia 6,3%.

Nga ana tjetër, për sa i përket importeve, rritja më e madhe në krahasim me një vit më parë rezulton me Italinë, rreth 1,2%, Kina me 31.1% dhe Greqia me 6,3%.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat