Shqipëria Postuar më 7 Shkurt 2025, 10:43

Investime të huaja në industrinë ushtarake? - Fuqizohet Komiteti i Sigurisë/ Cilat janë kompetencat e reja që merr në fushën e mbrojtjes

Nga Elisabeta Dosku

Investime të huaja në industrinë ushtarake? - Fuqizohet Komiteti

Komiteti i Mbrojtjes dhe Sigurisë, i krijuar me ligj si një hallkë e rëndësishme në marrjen e vendimeve sa i takon garantimit të interesave të vendit në këtë fushë, do të ketë kompetenca të tjera shtesë.

Referuar vendimit të miratuar në Fletoren Zyrtare, përveç sa ishte parashikuar deri më tani në ligj,  Komiteti i Mbrojtjes dhe Sigurisë, do të ketë të drejtë të vlerësojë zhvillimin e investimeve të huaja në industrinë ushtarake, në zbatim të politikave  shtetërore në fushën e mbrojtjes e të sigurisë, në  rastet kur evidentohet prania potenciale e ndikimit  të huaj.

Po ashtu,  garanton që zhvillimi i industrisë ushtarake të  jetë në përputhje me objektivat afatgjatë të sigurisë  dhe drejtimet e përcaktuara në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, përfshirë planifikimin për skenarë të mundshëm konfliktesh, parandalimin dhe iniciativat mbrojtëse strategjike; vlerëson analizat e riskut për kërcënimet e mundshme, si: tensionet gjeopolitike, sulmet kibernetike, kërcënimet hibride, terrorizmin, duke garantuar që sistemet e sigurisë dhe planet e zhvillimit të armëve t’u përgjigjen këtyre kërcënimeve.

Ky Komitet do të ketë si kompentencë vlerësimin dhe orientimin e programeve të zhvillimit në fushën e sigurisë dhe të industrisë ushtarake, duke u bazuar në rëndësinë strategjike, urgjencën e nevojës dhe ndikimin e mundshëm në sigurinë kombëtare; vlerëson dhe orienton politikat për zinxhirin e furnizimit për komponentët kritikë ushtarakë, duke  përfshirë lëndët e para dhe komponentët e teknologjisë së lartë, që janë thelbësorë për zhvillimin e sistemeve të reja të armatimit, që të jenë të sigurt e të qëndrueshëm; vlerëson implikimet etike të teknologjive të reja të armëve, si armët autonome, sistemet e inteligjencës artificiale dhe armët e shkatërrimit në masë.

Komiteti mund të konsultohet me ekspertë ligjorë për etikën dhe organizata ndërkombëtare për të siguruar që zhvillimet në industrinë ushtarake të mos bien në kundërshtim me normat etike ose të drejtën ndërkombëtare; si dhe miraton planin e masave për parandalimin, zvogëlimin e përballimin e risqeve dhe të kërcënimeve, që lidhen me infrastrukturën kritike, sigurinë kibernetike dhe interesa të tjerë të sigurisë kombëtare.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat