Shqipëria Postuar më 6 Prill 2026, 10:10

Investim për rrjetin elektrik të trafikut rrugor - OSSH, financon 94 mln lekë për sistemin inteligjent

Nga Ernilda Luzi

Investim për rrjetin elektrik të trafikut rrugor - OSSH, financon 94

Drejtoria Rajonale e OSSH Tiranë ka shpallur hapjen e tenderit për ndërtimin e linjës kabllore për furnizimin me energji elektrike të Sistemit të Monitorimit dhe Kontrollit të Trafikut Rrugor, përgjatë segmenteve rrugore: Tiranë -Durrës; Tiranë-Elbasan;  Mbikalimi Shkozet-Plepa; Durrës-Rrogozhinë, Rrogozhinë-Lushnje.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, këto zona përfaqësojnë akse me rëndësi të lartë për fluksin e trafikut dhe për sigurinë rrugore, ku instalimi i kabineteve të survejimit është i domosdoshëm për mbikëqyrjen efektive dhe menaxhimin dinamik të qarkullimit.

Fondi limit i përllogaritur është 94 milionë e 206 mijë lekë. Referuar dokumentit, zbatimi i këtij projekti është i domosdoshëm për garantimin e funksionimit të pandërprerë dhe të sigurt të pajisjeve të survejimit rrugor, të cilat përfshijnë kamera, kabinete kontrolli dhe sisteme matëse të trafikut, të instaluara përgjatë segmenteve strategjike të rrjetit rrugor kombëtar.

Ndër të tjera, ky projekt synon të mundësojë furnizimin me energji elektrike të Sistemit të Monitorimit dhe Kontrollit të Trafikut Rrugor, në kuadër të zbatimit të kontratës me objekt: “Qendra e Monitorimit të Trafikut (200 km) – Faza e Parë”, referuar kërkesës zyrtare të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH sh.a) dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga ana tjetër, në pjesën më të madhe të akseve të përfshira, mungon rrjeti ekzistues elektrik ose ai nuk garanton cilësi dhe vazhdimësi furnizimi. Kjo situatë kërkon ndërhyrje infrastrukturore për ndërtimin e rrjeteve të tensionit të mesëm, kabinave transformuese dhe rrjeteve të tensionit të ulët, të dedikuara për furnizimin e kabineteve të sistemit të monitorimit.

Zonat ose segmentet rrugore ku do të shtrihet ky projekt janë Tiranë–Durrës (Qafë Kashar–Rinas–Ahmetaq); Durrës – Rrogozhinë (Mbikalimi Shkozet–Plepa) Rrogozhinë–Vlorë; Tiranë–Elbasan. Në dokument specifikohet se, gjatë verifikimit në terren të pikave të kabineteve u vërejt se një pjesë e këtyre kabineteve kanë mundësi për furnizim me energji elektrike, dhe gjithashtu është evidentuar se në një pjesë të konsiderueshme nuk ekziston rrjet elektrik. Kjo për shkak se segmentet rrugore janë të reja dhe kalojnë jashtë zonave urbane, për këtë arsye mungon rrjeti elektrik.

Për furnizimin e këtyre kabineteve, sipas projektit parashikohet ndërtimi i linjave të tensionit të mesën dhe kabina transformuese, si dhe rrjet i tensionit të ulët përkatës. Rrjeti i ri, që do të ndërtohet, do të shërbejë edhe për zhvillimin e perspektivës së zonave. Këto ndërhyrje do të sigurojnë një infrastrukturë të dedikuar për furnizimin elektrik të sistemit të monitorimit, duke përmbushur kërkesat teknike dhe operacionale të projektit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat