Shqipëria Postuar më 18 Korrik 2025, 10:51

Interneti në celular, jemi më të shpejtë se gjermanët! Renditemi në vendin e 47-të në botë me 87.12 megabit për sekondë

Nga Eldiona Serani

Interneti në celular, jemi më të shpejtë se gjermanët!

Që prej modernizimit të telefonëve celularë, ata janë bërë një pjesë e rëndësishme dhe e pandashme e jetës sonë sociale, duke marrë gjithashtu disa nga funksionet që më parë i kryente kompjuteri. Internetin, përveçse në kompjuter, e përdorim edhe në telefon, por ndonjëherë përballemi me probleme si shpejtësia e ulët dhe rrjeti jo i qëndrueshëm.

Sa i përket internetit në telefonat celularë, Shqipëria renditet në vendin e 47-të nga 102 të marra në shqyrtim, sipas të dhënave të siguruara nga Speedtest.net. Ne lundrojmë në internetin ceular me një shpejtësi mesatare prej 87.12 megabit për sekondë. Po si qëndron situata në vendet e tjera të rajonit? Sipas të dhënave, Maqedonia e Veriut  ofron shpejtësinë më të madhe të internetit në telefon në rajon me 154 megabit për sekondë, duke u renditur në vendin e 17-të në nivel global. Mali i Zi dhe Kosova kanë gjithashtu internet të shpejtë.

Kosova zë vendin e 46-të në botë me një shpejtësi mesatare prej 87.3 megabit për sekondë, ndërsa Mali i Zi në vendin e 44-ët me një shpejtësi mesatare prej 90 megabit për sekondë. Më pas vijnë Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, e cila renditet afër fundit të listës. Në Serbi, qytetarët përdorin internetin në telefon me një shpejtësi prej 70.9 megabit për sekondë, ndërsa në Bosnje-Hercegovinë shpejtësia është vetëm 28.16 megabit për sekondë.

Ajo që bie në sy është se interneti në telefonat celularë në Shqipëri është dukshëm më i shpejtë se në disa shtete të zhvilluara. Ndër vendet me vlera më të ulëta të shpejtësisë janë Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania etj. Vendet me shpejtësinë më të lartë të internetit në celularë janë Emiratet e Bashkuara Arabe, ku arrin në 543 megabit për sekondë, të pasuara nga vende të tjera arabe si Katari dhe Kuvajti.

Ndërkohë, vendet me shpejtësinë më të ulët të internetit celularë janë Bjellorusia, Siria dhe Bolivia. Këto të dhëna tregojnë se zhvillimi teknologjik në fushën e internetit nuk varet gjithmonë nga zhvillimi ekonomik i një vendi. Përmirësimi i infrastrukturës digjitale mbetet thelbësor për të përmbushur kërkesat gjithnjë e në rritje të përdoruesve.

Shqipëria 18 Korrik Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka mbyllur këtë javë negativisht duke pësuar rënie këtë mëngjes teksa është blerë sot me 83.2 lekë dhe është shitur me 84.4 lekë sipas......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat