Shqipëria Postuar më 24 Nëntor 2025, 12:03

Interneti kryeson, telefoni fiks po mbetet histori - AKEP: 694 mijë abonentë broadband. Paketa internet dhe televizor fiton terren

Nga Ledina Elezi

Interneti kryeson, telefoni fiks po mbetet histori - AKEP: 694 mijë

Numri i shqiptarëve që përdorin internet nga rrjetet fikse po rritet me ritme të qëndrueshme.

Në tremujorin e dytë të vitit 2025, numri i abonentëve broadband arriti në 694 mijë, duke shënuar një rritje të qëndrueshme krahasuar me vitin e kaluar. Kjo tregon se interneti është bërë shërbimi bazë për shumicën e familjeve dhe bizneseve, duke u kthyer në mjetin kryesor të komunikimit dhe argëtimit.

Shumica e përdoruesve, rreth 57%, zgjedhin vetëm internetin, pa paketa shtesë. Ky grup është në rritje të fortë, me mbi 12% më shumë se një vit më parë, çka tregon se konsumatorët po e shohin internetin si nevojën kryesore, ndërsa shërbimet e tjera po mbeten në plan të dytë. Nga ana tjetër, 43% e abonentëve përdorin paketa të kombinuara me televizion apo telefon. Brenda tyre, më e preferuara është paketa “Internet + TV”, që po fiton terren, ndërsa paketat që përfshijnë telefoninë fikse po humbasin popullaritet.

Në fakt, telefoni fiks po përjeton një rënie të vazhdueshme. Numri i abonentëve ka zbritur në 156 mijë, një ulje me mbi 7% krahasuar me vitin e kaluar. Ky trend tregon se telefoni fiks po humbet rolin e dikurshëm, pasi komunikimi tashmë bëhet përmes internetit, aplikacioneve dhe telefonisë celulare.

Në tërësi, shifrat flasin për një transformim të zakoneve të komunikimit në Shqipëri: interneti është bërë shërbimi kryesor, televizori po ruan vendin e tij si pjesë e paketave digjitale, ndërsa telefoni fiks po zhduket gradualisht nga përdorimi. Ky është një tregues i qartë se vendi po konsolidon epokën digjitale, ku lidhja me internetin është baza e çdo shërbimi tjetër.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat