Shqipëria Postuar më 21 Gusht 2026, 12:29

Interesi për licenca në prodhimin e energjisë - ERE: 22 procedura në proces, kryesojnë centralet diellore

Nga Ola Mitre

Interesi për licenca në prodhimin e energjisë - ERE: 22 procedura

Interesi për investimet në prodhimin e energjisë elektrike reflektohet edhe në numrin e aplikimeve që presin një vendimmarrje nga Enti Rregullator i Energjisë. Sipas regjistrit të përditësuar të procedurave të licencimit, aktualisht pranë ERE-s janë në proces 22 aplikime, 19 prej të cilave janë depozituar gjatë vitit 2026.

Pjesa dërrmuese lidhet me prodhimin e energjisë elektrike. Nga 22 procedura të hapura, 19 kanë të bëjnë me licencimin, modifikimin apo transferimin e licencave në këtë veprimtari, ndërsa vetëm 3 procedura lidhen me tregtimin dhe furnizimin e energjisë.

Në listën e projekteve të prodhimit dominojnë centralet fotovoltaike. Mes aplikimeve më të fundit janë centrali fotovoltaik 50 MW në Vërnik të Devollit dhe projekti “3X Energy Sol Park” me kapacitet 70 MW në Lushnje, të dyja me aplikime të depozituara në muajin korrik.

Mes aplikimeve përfshihen edhe modifikimet e licencave të disa prej centraleve fotovoltaike të mëdhenj në vend, që kanë kërkuar përfshirjen e depozitave, brenda kapacitetit ekzistues.  

Ndërkaq, përveç centraleve diellore, regjistri përfshin teknologji të tjera prodhimi. Prej vitit 2025 vijon procedura për licencimin e termocentralit 170 MË të “Fier Thermoelectric” në Roskovec, aktualisht e pezulluar deri në depozitimin e autorizimeve apo lejeve për përdorimin e burimit ujor. Në proces mbetet edhe aplikimi për centralin eolik 3 MW në Tragjas, si dhe licencimi i HEC “Bushtrica 2”.

Ndërkohë, mes procedurave të nisura këtë vit është edhe kërkesa e KESH për licencimin e prodhimit të energjisë nga TEC-et lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, si dhe aplikimi për impiantin fotovoltaik në Digën e Zadejës, në HEC-in e Vaut të Dejës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat